MALI I ZI– Përfaqësues të Qeverisë së Malit të Zi dhe të kompanive amerikane nënshkruan këtë të premte në Podgoricë një Memorandum për zbatimin e dy projekteve të infrastrukturës energjetike. Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç tha se këto projekte, ndër të tjera, do të zvogëlojnë varësinë nga gazi rus.
Marrëveshja e nënshkruar përfshin ndërtimin e një terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Mal të Zi dhe instalimin e një termocentrali me gaz, furnizimi i të cilit do të vinte përmes terminalit. Projektet e terminalit dhe termocentralit do të jenë në portin e Tivarit.
Dritan Abazoviç: Kjo është e rëndësishme në mënyrë gjeopolitike për ne, sepse zvogëlon varësinë nga gazi rus, por mbi të gjitha kjo flet se ne e dimë se ku duam të lëvizë vendi në 10, 15, 20 vitet e ardhshme. Besoj se kemi siguruar themelin energjetik.
Memorandumi u nënshkrua nga Dritan Abazoviç, Phil Pyle, përfaqësues i Enerflex Energy Systems dhe Olin L. Wethington, president dhe shef ekzekutiv i Wethington Energy Innovation. Wethington tha se Mali i Zi, te kompanitë amerikane ka partnerin më të mirë teknologjik.
Sipas memorandumit, ato mund të fillojnë punën deri kah fundi i vitit 2025. Megjithatë, shkruan REL ata nuk kanë dashur të flasin për datën e fillimit të punimeve dhe vlerën e investimit, duke u shprehur se ato varen nga shumë faktorë. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, tha se projekti i sjell Malit të Zi më të mirën në aspektin e teknologjisë, pajisjeve, njohurive dhe aftësive.
Bisedimet për këtë projektet nisën në janar të vitit 2020. Asokohe, ndihmës-sekretari për energjinë e fosileve në Departamentin e Energjisë të SHBA-së, Steven Winberg, tha se porti i Tivarit është një resurs ideal për furnizimin me gaz.
Steven Winberg: Ai port ka një pozicion ideal për të pranuar gaz të lëngshëm dhe do të paraqiste një nyje nga ku gazi i lëngshëm do të transportohej në vende të tjera. Është një port me ujë të thellë dhe mund të pranojë anije që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.