Juventus shmang humbjen në fund, Roma bën “detyrën” në “Olimpico”, mposht Bayer Leverkusen 1-0

Federico Gatti shpëton Juventusin nga humbja, duke u bërë heroi i skuadrës, me golin e minutës së 97-të, që shmangu humbjen ndaj Sevillas, në ndeshjen e parë gjysmë-finale të Europa League.
Në ‘Allianz Stadium’ bardhezinjtë u përballën ndaj skuadrës andaluziane, ekspertëve të këtij kompeticioni.
Torinezët nuk zhvilluan një ndeshje të mirë, duke marrë një barazim 1-1 me vuajtje.
Edhe pse në kampionat nuk po bën mirë, në Itali Sevilla ka dhuruar një ndeshje ofensive sidomos në pjesën e parë, duke vënë në vështirësi ekipin e Allegrit. ‘Zonja e vjetër’ shpërdoroi raste të mira para portës me Vlahoviç.
Spanjollët ‘shokuan’ vendasit në minutën e 26-të. Një kundërsulm perfekt nga ana e lojtarëve të Sevillas, konkretizohet me golin e shënuar nga En Nesyri.
Marokeni shfrytëzoi një asist perfekt nga Ocampos.

Në pjesën e dytë të sfidës, Juventus u mundua të reagonte.
Pas disa tentativave për të vendosur baraspeshën, të besuarit e Allegrit e gjetën golin vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë.
Federico Gatti barazoi shifrat në minutën e 97-të, pas zhvillimeve të një goditjeje këndi.


Ndërkohë në përballjen tjetër gjysmë-finale, Roma bën ‘detyrën’, duke mposhtur Bayer Leverkusen 1-0.
Në ‘Olimpico’ të besuarit e Jose Mourinhos ja dolën të mundin skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso, që në këtë pjesë të dytë të sezonit po kalon një formë mjaft të mirë.
Verdhekuqtë edhe pse hasën vështirësi ndaj gjermanëve, ja dolën të korrnin sukses. Golin e vetëm të takimi e shënoi talenti Bove, në minutën e 63-të.

Të enjten e ardhshme do të luhen ndeshjet e kthimit gjysmë-finale të Ligës së Europës./Limit.al