Shkupi shqyrton bllokimin e TikTok-ut

SHKUP– Institucionet në Maqedoninë e Veriut e kanë marrë seriozisht shqyrtimin për moslejimin e rrjetit social Tik Tok, kjo për shkak të rritjes së rasteve të dhunës në shkolla dhe jashtë saj që si pikënisje kanë sfifdat në këtë rrjet social dhe ”lojërat” që degjenerojnë më pas në dhunë.

Debati kryesor në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet lidhur me kërkesën në rritje për bllokimin e aplikacionit TikTok, për shkak të përmbajtjes së dhunshme në videot e shkurtra që publikohen në të, e që në shumë raste besohet kanë nxitur akte dhune.

Ky debat vjen pas dy ngjarjeve të rënda të regjistruara pak kohë më parë. Kështu më 27 nëntor të vitit 2022, një vajzë e mitur në Shkup kishte pësuar djegie të rënda nga rryma derisa ishte ngjitur në një vagon treni për të bërë video. Ndërsa më 15 prill, një mjek anesteziolog nga Tetova u arrestua pasi kishte publikuar në TikTok një video nga Reparti i Gjinekologjisë, dhe tani përballet me padi për veprat, “punë e pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim i paautorizuar”.

Këto diskutime janë shtuar dhe më shumë pas ngjarjeve tragjike që tronditën Serbinë pak ditë më parë. Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar edhe për rritjen e denoncimeve për bullizëm dhe dhunë në shkolla. Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka konfirmuar, gjithashtu, takimet mes institucioneve për marrjen e masave konkrete.

Oliver SpasovskiEdhe para ngjarjeve që ndodhën në Serbi, ne kishim iniciuar koordinimin e aktiviteteve mes ministrive të Arsimit, të Punës dhe Politikës Sociale dhe të Punëve të Brendshme, për hartimin e masave për parandalimin e akteve të dhunës. Por, një rol shumë të madh këtu duhet të ketë familja në edukimin e fëmijëve, dhe së bashku me institucionet të sigurohemi se po rrisim një shoqëri të shëndoshë. Kemi propozime për ndalimin e rrjeteve të caktuara sociale, e masa tjera, dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të përjashtohet, por paraprakisht të kemi një debat të gjerë dhe vendimet të mos i marrim të nxituar nga emocionet, por me mirëkuptim.

Nga Unioni i Shkollave të Mesme thonë se “siguria në shkolla nuk është në nivelin e duhur”, shkruan REL andaj kërkojnë masa për parandalimin e incidenteve, por sa i përket ndalimit të aplikacionit TikTok, Unioni ka rezerva, pasi beson se qasja në këtë aplikacion mund të bëhet përmes adresave tjera të internetit. Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se ndalimi është i mundur, qoftë nga kompanitë e internetit, apo edhe nga vetë shteti, përmes bllokadave të ndryshme.

Lokman Musliu: Kjo mund të bëhet në dy mënyra, njëra mund të ndodhë nëpërmjet ofruesve të internetit, me të cilët Qeveria mund të bëjë një marrëveshje, apo të vendosë një bashkëpunim që të ndërpritet qasja në cilindo rrjet social, kështu që njerëzit nuk do të ketë qasje në TikTok, që është aktual tani te ne, por edhe në vende tjera. Mënyra tjetër është kur shteti bën ndalesë të adresave të caktuara, dhe kjo formë nuk kërkon bashkëpunim me ofruesit e internetit, por vetë shteti mund të vendosë bllokada të një adrese të caktuar.

Megjithatë, sipas tij, këto masa nuk janë plotësisht të sigurta, pasi qasja në rrjetet sociale mund të bëhet edhe në mënyra tjera, përmes ndryshimit të adresës së internetit, si dhe serverëve VPN-rrjetit virtual privat./Limit.al