Vrasja e Ardian Nikulajt në Shëngjin, kapet në Marok ekzekutori portugez

Arrestohet në Marok autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit dhe politikanit, Ardian Nikulaj.

I akuzuar si ekzekutori i Nikulajt, në Marok është kapur shtetasi portugez Ruben Saraiva.

Ruben Saraiva ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, ndërkohë që pas krimit të kryer ishte larguar menjëherë drejt Greqisë, nga ku më pas ka udhëtuar drejt Marokut, ku dhe është vënë nën pranga.

Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet marokene kanë arrestuar në Rabat portugezin, për ngjarjen e 19 prillit, ku u ekzekutua në lokalin e tij Ardian Nikulaj.

Njoftimi i Policisë:

 

Policia e Shtetit

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje./Limit.al