Lezhë, e rrahën dhe e plagosën me armë zjarri, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 3 autorët

Mbrëmjen e vonë të së hënës një përleshje mes disa personave, përfundoi me përdorimin e armës dhe me plagosjen e një personi.

Për pasojë mbeti i plagosur 22-vjeçari Aleks Laska, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Lezhës, jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të së hënës, në lagjen ‘Besëlidhja’, teksa Policia bëri me dije se Laska ka mbërritur në Spitalin Rajonal të Lezhë, për të kërkuar ndihmë shëndetësore, rreth orës 22:30.

Ndërkohë, uniformat blu kanë mundur të identifikojnë dhe shpallë në kërkim autorët që rrahën dhe më pas plagosën me armë zjarri 22-vjeçarin.

Për ngjarjen, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim shtetasit Leandro Frroku, 29 vjeç, Xhuljano Frroku, 26 vjeç dhe Agustin Shahini, 27 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

Lezhë/Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një shtetas, mbrëmjen e djeshme, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.

Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.

Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.

Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Limit.al