Serbët vërshojnë në rrugë pas masakrave me 18 të vrarë! Mijëra protestues poshtë zyrës së Vuçiç

SERBI– Mijëra qytetarë janë ngritur në protestë këtë të hënë duke vërshuar në rrugët e Beogradit pas masakrave me 18 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur që tronditën vendin disa ditë më parë. Ata kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe kufizimin e përmbajtjeve të dhunshme në media.

Me sloganin ”Serbia kundër dhunës” me mijëra qytetarë u derdhën në rrugët e kryeqytetit serb. Raportohet se më shumë se dhjetë mijë demonstrues u mblodhën para parlamentit të Serbisë, para se të dilnin në rrugë për t’u tubuar pranë zyrave të Qeverisë së Serbisë.

“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të promovimit të mëtejshëm të dhunës në media dhe hapësirë publike, si dhe përgjegjësi për reagim joadekuat që një kohë të gjatë nga autoritetet kompetente”, thuhet në një deklaratë të partisë së krahut të majtë, Le të Mos e Lëmë Beogradin të Mbytet.

“Ne jemi këtu sepse nuk mund të presim më. Ne kemi pritur shumë, kemi heshtur shumë, kemi kthyer kokën shumë gjatë”, i tha turmës Marina Vidojeviq, një mësuese e një shkolle fillore.

“Duam shkolla, rrugë, fshatra dhe qytete të sigurta për të gjithë fëmijët”, tha një tjetër me sy të përlotur. 

Dorëheqja e ministrit serb të Edukimit nuk u ka mjaftuar protestuesve të cilët kërkuan këtë të hënë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe kreut të Inteligjences serbe. Opozita po kërkon gjithashtu që shfaqjet televizive, të njohura për promovimin e dhunës, të hiqen nga transmetimi dhe të ndalohen gazetat pro-qeveritare që nxisin rregullisht tensionet me artikuj të vrazhdët që synojnë disidentët politikë.

Ndërkohë Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç e kritikoi protestën, duke i quajtur grupet opozitare që morën pjesë në tubim “ligësi e pafytyrë… që guxon ta përdorë një tragjedi kombëtare për interesat e veta”, sipas mediave lokale.

Pas masakrave që lanë të tronditur qytetarët serbë, të cilët kishin frikë të dilnin nga shtëpitë e tyre dhe të dërgonin fëmijët në shkolla presidenti Aleksandër Vuçiç vendosi ”çarmatimin” e vendit duke u dhënë kohë qytetarëve serbë që të dorëzojnë armët që kanë në banesa deri më datë 8 qershor ku nuk do të ketë asnjë masë ndëshkimore, ndërsa pas kësaj date atij që do i gjenden armë në banëse do të përballet me ligjin, tashmë të ndryshuar dhe më të ashpër./Limit.al