Ballina Kryesore Si erdhi deri te bllokimi i Urës së Ibrit?

Si erdhi deri te bllokimi i Urës së Ibrit?

KOSOVË– Tash e gati një çerek shekulli, ura mbi lumin Ibër ndan në dy pjesë Mitrovicën, jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe. Mbi urë, prej vitesh, nuk mund të kalojnë mjetet motorike, pos këmbësorëve.

Së voni, disa zyrtarë lokalë dolën me një nismë për rihapjen e plotë të urës, e cila u prit me reagime të ndryshme.

Por, si erdhi deri te bllokimi i saj?

Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë. Qëllimi ka qenë t’i kundërvihen shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.

Në vitin 2014, ato barrikada janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”. Ky park është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.

Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllimi i të cilit ka qenë tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës është menduar të bëhej në janar të vitit 2017.

Mirëpo, puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt janë investuar 1.5 milion euro. Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”.

Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës. Në fund, ura vazhdon të mbetet e mbyllur për mjete motorike dhe e hapur vetëm për këmbësorë./REL-Limit.al