KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi këtë të dielë në një konferencë për mediat se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e ka përfunduar misionin dhe funksionin e tij. Kurti tha se lirimi nga detyra e këtij ekipi, ka qenë vendimi më i drejtë që është marrë.
Albin Kurti: Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshm.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë së Kosovës tha ndër të tjera se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje për propozimin e draft statutit të Asociacionit.
Albin Kurti: Shkuam në Bruksel, e dëgjuam prezantimin e draft statutit – prezantuan vetëm thelbin e statutit, pastaj na përcjellën të plotë. Nga neni kuptohet që është dëshira e madhe për një Republikë Srpska në Kosovë, shprehim mospajtimin fondamental me këtë propozim. Unë e dhashë një propozim timin se si duhet të rregullohet nen 7 i marrëveshjes që kemi bërë. Ndërmjetësit nuk dhanë vlerësim për atë, mirëpo pala serbe nuk pranoi as ta marrë për lexim. Ne e kemi dëgjuar ekipin menaxhues, ne e kemi lexuar propozimin e tyre, ne kemi dhënë mendimin tonë mospajtues, ndërsa për propozimin tonë nuk kemi përgjigje nga ndërmjetësi.
Kurti u shpreh se për propozimin e tij është inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Ai tha se përderisa Serbia e ka pranuar diçka të tillë me Kroacinë duhet ta bëjë dhe me Kosovës si dhe shtoi se ai nuk ka synim të shkelë të drejtat e qytetarëve serbë.
Albin Kurti: Ky draftvizion që e kam prezantuar unë aty është i inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare, përkatësisht për pakicën serbe. Marrëveshjen për modelin për mbrojtjen e pakicës serbe në Kroaci e ka pranuar edhe Serbia, prandaj ne kemi konsideruar që ky është vendi që ne do të mund të marrim frymëzimin tonë. Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, konsiderojmë që do të duhet ta pranojë edhe me ne. Nuk jam i interesuar as t’i kontrolloj serbët, as t’ua shkelë të drejtat as atyre, asnjë minoriteti, as një qytetari të republikës. Në veçanti për nenin 7 të marrëveshjes bazë kam ofruar një draftvizion që shpresoj se do të marr një vlerësim nga ndërmjetësit evropianë.
Në fund të fjalës së tij Albin Kurti la të kuptohet se dera e dialogut nuk është mbyllur përfundimisht duke paralajmëruar një tjetër takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç./Limit.al