Ballina Kryesore Lodhja- Dobësia trupore, këputja

Lodhja- Dobësia trupore, këputja

Lodhja mund të tregojë mungesën e gjumi, stresin, sëmundjet psikike ose organike.

Çdo individ ka nevojë për një sasi të caktuar gjumi. Por, studimet kanë treguar se si gjumi i pakët, ashtu edhe ai i tepërt, shoqërohen me lodhje te theksuar trupore dhe me një rritje të vdekshmërisë.

Më shpesh, lodhja është një ndjesi krejt normale dhe fiziologjike, që i lejon trupit të ketë sasinë e mjaftueshme të gjumit, me qëllim që të garantojë mekanizmat e rigjenerimit dhe funksionimin e mirë të sistemit tonë imunitar. Gjithsesi, një nevojë e madhe për gjumë ose një lodhje e vazhdueshme mund të jetë rezultat i një stili jetese të papërshtatshëm, me gjumë të pamjaftueshëm ose me stres, madje edhe manifestim i ndonjë sëmundjeje.

Tipet e lodhjes janë:

  • Lodhja e përkohshme: lodhja fizike ose dobësia psiqike kalojnë pas një faze pushimi dhe gjumi. Në përgjithësi, shkaku i kësaj lodhjeje është i njohur.
  • Sindromat e lodhjes kronike: lodhja është e vazhdueshme, e shpejtë, karakterizohet nga rënia e performancës për aktivitetet e përditshme dhe nuk kalon pas një faze pushimi. Në këtë tip bën pjesë sindroma Burnout.
  • Lodhja jonormale gjatë ditës: shenjë klinike tipike e një çrregullimi të cilësisë së gjumit, qoftë nga paaftësia për të fjetur, për ta vazhduar gjumin, ose edhe nga sindroma e apnesë së gjumit (e karakterizuar nga gërrhitje dhe çrregullime të gjumit gjatë natës).

Gjatë një lodhjeje të shkaktuar nga stresi, pacienti është shpesh viktimë e çrregullimeve të gjumit, dhimbjes së kokës, tensioneve muskulare, i ndjesisë së të ftohtit dhe mungesës së oreksit.

Kur lodhja ka në origjinë një kancer, krahas lodhjes pacienti shfaq temperaturë të lartë, rënie në peshë dhe djersitje gjatë natës. Lodhja e shoqëruar me zbehtësi, dhimbje koke dhe palpitacione mund të jetë tregues i një anemie.

Shembuj lodhjesh si pasojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetesës:

  1. Mungesa e gjumit: me çrregullime të gjumit, gërrhitje të shoqëruara nga çrregullime të frymëshkëmbimit (sindroma e apnesë së gjumit)
  2. Mungesa e aktivitetit fizik, veçanërisht në vjeshtë dhe në dimër
  3. Dehidratimi i shkaktuar nga konsumi i pamjaftueshëm i lëngjeve
  4. Mbipesha trupore
  5. Stresi, puna jashtë orarit
  6. Zhgënjimi, trishtimi
  7. Sindroma premenstruale
  8. Mungesa e magneziumit në organizëm

Shembuj lodhjesh të shkaktuara nga sëmundje fizike ose psiqike:

  1. Anemia, veçanërisht anemia nga mungesa e hekurit ose vitaminës B12
  2. Insufiçienca kardiake
  3. Hipotensioni arterial
  4. Sëmundjet kronike të mushkërive: BPKO, bronkiti kronik
  5. Sëmundjet infektive akute, si gripi
  6. Sëmundjet infektive kronike, si HIV-i ose hepatiti
  7. Sëmundjet psiqike, si depresioni, çrregullimet e ankthit, sindroma Burnout, çrregullimet e lidhura me ushqyerjen, sëmundjet psikosomatike (anoreksia)
  8. Sindroma e lodhjes kronike
  9. Diabeti i sheqerit
  10. Çrregullimet hormonale: hipotireoza
  11. Kanceret, veçanërisht leuçemitë dhe limfomat
  12. Efektet dytësore të medikamenteve

Si të veprojmë nëse kemi lodhje?

Një stil jetese i shëndetshëm, i bazuar në ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin e rregullt fizik, evitimin e duhanit dhe alkoolit, gjumin e mjaftueshëm, si dhe alternimin e arsyeshëm të fazave të aktivitetit mendor dhe fizik me faza çlodhëse, mund të parandalojë dhe luftojë fenomenin e lodhjes.

Ja disa këshilla për ata që vuajnë nga lodhja e përgjithshme trupore:

  • Kryeni më tepër aktivitet fizik, por kujdes nga mbingarkesa: rekomandohen shëtitjet në ajër të pastër dhe veprimtaritë sportive të kontrrolluara nga profesionistë
  • Reduktoni stresin, duke praktikuar teknika të tilla si joga, relaksimi progresiv i Jacobson, trajnimi autolog
  • Alternoni banjat e nxehta me ato të ftohta
  • Përmirësoni kontaktet shoqërore
  • Respektoni një program ditor të strukturuar
  • Përmirësoni gjumin /Medinfo.al /Limit.al