Liberalizimi i vizave, dy anët e medaljes dhe frika e biznesit për ikjen e fuqisë punëtore

KOSOVË– Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ketë vetëm efekte pozitive. Pasi me liberalizmin e vizave pritet që fluksi i njerëzve që largohen për punë dhe jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Europian të rritet duke thelluar kështu krizën për fuqi punëtore në Kosovë,  Pavarësisht se liberalizimi ka kritere të qarta, për komunitetin e biznesit kjo mund të shërbejë për të eksploruar terrenin për mundësitë e punësimit në vendet e tjera. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka deklaron se mungesa e fuqisë punëtore duhet të shihet me seriozitet nga Qeveria e Kosovës.

Arian Zeka: Ka një rrezik, mungesa e fuqisë punëtore mund të shndërrohet në një problem të madh të zhvillimit për bizneset kosovare, dhe si i tillë duhet të trajtohet me seriozitet dhe të shihet bashkërisht përmes një dialogu gjithëpërfshirës ndërmjet qeverise dhe sektorit privat se çfarë mund të bëhet që një problematike e tillë të marr një epilog të duhur. Mirëpo, është një shqetësim që ekziston në mesin e bizneseve që pas 1 janarit të vitit 2024 kur pritet të ndodhë përfundimisht liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndikojë në tkurrjen e fuqisë punëtore, meqenëse numër i madh i njerëzve pritet që të largohen nga vendi për arsyeje të vizitave turistike apo edhe për shkak të kërkesës së madhe që ekziston për fuqi punëtore në shtetet e Evropës Perëndimore.

Ai u bëri thirrje bizneseve dhe qeverisë që të angazhohen në përmirësimin e kushteve të punëtorëve.Sipas Zekës një nga sektorët e bizneseve që po dëmtohet më së shumti nga mungesa e punëtorëve është gastronomia.

Arian ZekaBizneset të cilat kanë mundësi duhet t’i rishikojnë nivelin e pagesave, meqenëse paga mesatare në sektorin privat është raportuar gjithmonë të jetë më e ulët se në sektorin publik, atëherë brenda mundësive punëdhënësit e sektorit privat duhet të rishikojnë nivelet e pagesave. Po ashtu qeveria duhet t’i rishikojë politikat fiskale, të shoh ku mund të ndërhyjë për sa i përket normave të tatimeve dhe të normave të akcizave për produkte të caktuara të cilat do të ndikonin në lirimin e shportës së konsumatorit.

Ndërkohë Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica thotë se e gjithë kjo ka ardhur si shkak i mosrespektimit të punëtorëve ndër vite. Po ashtu ai shprehet se nëse vazhdon ky fenomen, shumica e bizneseve do të jenë te detyruara të mbyllen.

Arian VranicaMe një anë edhe nuk janë respektuar edhe punëtorët për një kohë të gjatë, nëse e shohim në një periudhë më të gjatë kohore, prej para 10 viteve ka qenë një situatë tjetër, ku kemi pasur biznese te limituara e punëtore shumë, dhe tash është e kundërta, po ashtu ka ndikuar edhe mosrespektimi i kontratave nga ana e bizneseve te punëtorët, mosrespektimi i përgjegjësive dhe detyrave. Natyrisht se edhe liberalizimi i vizave do të ndikoje negativisht në sektorin gastronomisë, por po shihet se një pjesë e gastronomisë e ka ndryshuar edhe kohën e operimit te biznesit të tyre, disa prej tyre edhe janë mbyllur. Është kontrata e punës kryesorja, përmirësimi i kushteve të punëtorëve brenda mundësive të punëtorit, të mos ngarkohet me përgjegjësi të tjera nëse vetëm janë të caktuara përgjegjësitë, sepse edhe kjo ka ndikuar që me pas pakënaqësi tek punëtorët. Mirëpo, tek ana e shtetit duhet të ndikojë me anë të disa politikave fiskale në mënyrë që të ulet edhe çmimi i produkteve, dhe me uljen e çmimit të produkteve do të reflektohej një mirëqenie më e mirë për punëtorët, dhe një rritje e konsumit më e madhe, më pak të ketë punëtor që humbin vendin punës dhe më pak biznese që kanë shumë telashe me punëtorë.

I të njëjtit mendim është dhe Ndriçim Binishi, i cili është menaxher i një kafiteria në Prishtinë. Ai kërkon nga qeveria që të merr ndonjë masë për t’i ndihmuar bizneset, pasi sipas tij, do të vijnë te mbyllja e shumë bizneseve.

Ndriçim BinishiMungesa e fuqisë punëtore vërehet dukshëm në vend, veçanërisht në gastronomi. Dhe kërkojmë prej qeverisë që të ndihmojë gastronominë, ndryshe do të vije deri te mbyllja e bizneseve.

Ndërsa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë bën të ditur se vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë shuar 445 biznese. Një përgjigje me shkrim nga MINT thuhet se në këtë periudhë janë regjistruar 3078 biznese të reja.

Ministria: Përgjatë dy viteve të kësaj qeverie, kemi rritje rekord të bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me një total prej 24,778 bizneseve. Gjatë vitit 2021 kemi 10,652 biznese të reja të regjistruara, në vitin 2022 kemi 11,048 biznese të reja të regjistruara (numri më i lartë gjatë 10 viteve të fundit). Gjatë katër muajve të parë të vitit 2023, kemi 3078 biznese të reja të regjistruara, (shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, krahasuar me muajt e parë të viteve të kaluara). Sa i përket bizneseve të shuara, gjatë vitit 2021 janë shuar 1574 biznese nga të cilat 259 kanë ndryshuar llojin e biznesit, kurse në vitin 2022 janë shuar 1773 nga të cilat 286 kanë ndryshuar llojin e biznesit dhe përgjatë 4 muajve të parë të këtij viti janë shuar 445 biznese nga të cilat 97 kanë ndryshuar llojin e biznesit./Limit.al