Kupa e Mbretit, Reali i Madridit synon trofeun ndaj Osasunas, Ancelotti kërkon të thyejë rekordin e Zidane

Sonte në mbrëmje do të luhet finalja e Kupës së Mbretit në Spanjë, mes Realit të Madridit dhe Osasunas. Sfida do të zhvillohet në ‘Estadio de La Cartuja të Sevillas, duke nisur nga ora 22:00.

Madrilenët kërkojnë fitimin e trofeut, përballë një kundërshtari modest në letër si Osasuna.

Një finale tepër e rëndësishme është edhe për trajnerin e ‘Los blancos-ve’, Carlo Ancelotti, i cili synon të kalojë rekordin e Zinedine Zidane, në krye të pankinës së Realit. Zidane brenda pak vitesh, ia doli që të fitonte 11 trofe si trajner i ‘galaktikëve’, ndërsa tekniku italian ka arritur deri më tani në kuotën e 9 trofeve dhe në këtë edicion ka mundësinë të luftojë edhe për dy të tjerë. Një prej tyre është pikërisht Kupa e Mbretit, ndërsa trofeu tjetër është Champions League.

Përpara finales së Copa del Rey, Ancelotti u shpreh se finalet i luan gjithnjë sikur të ishin të fundit.

Carlo Ancelotti: Të luash në një finale është gjithmonë shumë emocionuese. Personalisht, gjithmonë mendoj se mund të jetë e fundit. E kam menduar në vitin 2003, dhe nuk ishte kështu dhe mendoj për këtë sot. Unë kërkoj nga lojtarët që ta shijojnë këtë moment, sepse janë ndeshje speciale dhe ne i përgatisim me gjithë dëshirën dhe entuziazmin e botës. Kemi ardhur këtu me meritë dhe do të bëjmë maksimumin për të fituar, do të luajmë pa menduar për ndeshjen e radhës me gjithë energjinë e botës për të fituar një ndeshje tjetër. Lojtarët janë të gjithë shumë të motivuar. Përgatitja e këtyre ndeshjeve me këtë skuadër është mjaft e thjeshtë. Ne jemi të fokusuar në ndeshjen ndaj Osasunas. Nëse do të fitonim do të kishim fituar të gjithë trofetë në këto dy vite. Mbyllja e këtij cikli do të ishte shumë bukur.

Reali i Madridit e ka fituar këtë trofe 19 herë, i fundit në vitin 2014, ndërkohë që për Osasunën kjo është finalja e dytë që merr pjesë, pas asaj të vitit 2005, ku u mposhtën në finale ndaj Betis./Limit.al