Kastrioti surprizon Vllazninë në “frymën e fundit”, Egnatia drejt Europës, Bylis drejt rënies

Vllaznia ndalet sërish, duke marrë një barazim 2-2 me Kastriotin, në ndeshjen e javës së 32-të të Kategorisë Superiore. Sfida e zhvilluar në ‘Elbasan Arena’ prodhoi tepër emocione, me të dyja skuadrat që kërkonin fitoren në këtë përballje.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 42-të. Shkodranët realizuan golin e parë të sfidës me Çoban.
Pa u mbyllur pjesa e parë, krutanët vendosën baraspeshën. Reginaldo barazoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që Juriç la shkodranët me 10 lojtarë në fushën e lojës.
Me këtë episod u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, kuqeblutë edhe pse në inferioritet numerik gjetën golin e epërsisë, vetëm 2 minuta pas rifillimit.
Në të 47-n, një ish si Kaina ndëshkoi skuadrën e Emiljano Çelës, falë një goditjeje të bukur me kokë.
Kur gjithçka u duk se të besuarit e Sedloskit do të dilnin me 3 pikë nga kjo përballje, Kastrioti barazoi takimin në minutën e 91-të. Redon Mihana goditi bukur një top me kokë dhe ndëshkoi portierin Zogoviç.
Ndeshja mbyllet 2-2 dhe skuadrat ndajnë nga 1 pikë, që nuk i vlen asnjërës prej ekipeve, pasi Kastrioti mbetet në fundin e renditjes, ndërsa kuqeblutë lëshojnë terren në klasifikim.

Egnatia ka hedhur një tjetër hap të sigurt drejt kualifikimit në Europë për edicionin e ardhshëm, pasi triumfoi ndaj Bylisit. Rrogozhinasit fituan 2-0 ndaj mallakastriotëve, duke konsoliduar vendin e tretë në Superligë, me 49 pikë të grumbulluara në 32 javë kampionat. Malota kaloi ekipin e Edlir Tetovës në avantazh në minutën e 60-të.

Redi Kasa vulosi suksesin e Egnatias në minutën e 77-të, duke realizuar edhe golin e dytë të takimit.
Minutat e mbetura nuk prodhuan më rezultat dhe ndeshja përfundon 2-0. Me këtë humbje, ballshiotët i afrohen gjithnjë e më shumë rënies nga elita./Limit.al