E vërteta e tallavasë së Edi Ramës

 

Nga Blendi Kajsiu

Tallavaja socialiste synon ta paraqesë Edi Ramën si një “bir të popullit”, si një “çun lagje” që dëgjon Tit Vullkanin, kërcen dhe gëzon me populllin e thjeshtë dhe rininë shqiptare. Një shqiptar si gjithë të tjerët, një kryeministër rinor jo vetëm për popullin por edhe i popullit. Është një strategji që synon të mbulojë hendekun gjithnjë e më të thellë mes kryeministrit dhe qeverisë së tij nga njëra anë dhe popullit të thjeshtë nga ana tjetër.

Pushteti socialist me Ramën në krye po qeveris gjithnjë e më tepër në funksion të një elite të ngushtë në pushtet. Ndërkohë që elita socialiste në pushtet është pasuruar si kurrë më parë, shumica e qytetarëve, sidmos rinia në zonat më të varfëra të vendit nuk kanë përfituar nga zhvillimi socialist. Ndaj ata po largohen në masë çdo ditë nga vendi ynë.

Që qeverisja socialiste ka prodhuar zhvillim kjo është e pamohueshme. Tirana është një dëshmi e gjallë e këtij procesi. Pavarësisht kullave, betonizmit, trafikut apo ndotjes, Tirana sot është më e bukur dhe më e zhvilluar se kurrë më parë.

Ama që ky zhvillim ka prekur pak ose aspak shumicën e shqiptarëve, edhe kjo është evidente. Përfituesit më të mëdhenj të zhvillmit socialist janë elitat ekonomike dhe ndërtuesit e mëdhenj dhe jo qytetarët e thjeshtë apo rinia shqiptare që dëgjojnë dhe kërcejnë nën ritmin e Tit Vullkanit.
Raporti i fundit i Bankës Botërore (BB) tregon qartë se një nga problemet themelore të qeverisjes aktuale është shpërndarja e përfitimeve nga rritja ekonomike. Në pjesën “Ndarja e Përfitimeve të Rritjes Ekonomike” raporti thotë se pavarësisht rritjes eknomike niveli i varfërisë në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë dhe i pandryshuar (f. 87). Rreth 33% e shqiptarëve (pra 1 në 3) jetojnë në varfëri, me më pak se 5.5 dollar në ditë. Kjo shifër është edhe më e lartë në zonat veriore me zhvillim më të ulët ekonomik. Sipas të njëjtit raport Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon. Jo vetëm krahasuar më Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, por edhe me Kosovën (f. 88).
Problemi i varfërisë u thellua edhe më tej si pasojë e pandemisë. Ndonëse qeveria Rama ndërmori një sërë masash që e reduktuan deri diku efektin e krizës, këto masa ishin më pak efikase në uljen e varfërisë sonë se masat e marra nga vendet fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut (shiko faqen 89 të raportit të BB-së). Ndërkohë asistenca dhe politikat sociale për të lehtësuar varfërinë janë minimale. Shpenzimi për mbrojtjen sociale në Shqipëri është tejet i ulët dhe nën mesataren e Bankës Botërore.

Por shtresat e mesme dhe në nevojë në Shqipëri nuk goditen thjesht nga mungesa apo dobësia e politikave të mbrojtjes sociale por edhe nga një sistem shëndetësor që u ofron shumë pak mbulim. Gjatë qeverisjes Rama Shqipëria ka investuar shumë më pak se vendet fqinje tek sistemi i shëndetësisë, qoftë për frymë, qoftë si përqindje e shpenzimit buxhetor, qoftë si përqindje e Prodhimit të Përgjithëshëm Bruto (PPB). Sipas raportit të BB-së në vitin 2018 Shqipëria shpenzoi 275 dollarë amerikan për frymë në shëndetësi, që është më pak se gjysma e mestares së vendeve të Balkanit Perëndimor me rreth 600 dollarë amerikan për frymë. Nëse mesatarja e shpenzimit për shëndetësinë në vitin 2018 në Ballkanin Perëndimor ishte 5% e PPB, tek ne kjo është shifër ishte vetëm 2.8%. (f. 93 e raportit)

Ky investim i ulët në shëndetësi, krahasuar me fqinjët, nënkupton një mbulim shëndetësor tejet të reduktuar. Për pasojë qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë nga xhepi shumë prej shpenzimeve shëndetësore, çka godet sidomos shtresat e mesme dhe ato në nevojë. Raporti i BB-së arrin në konkluzionin se investimi i ulët në shëndetësi i ka “ekspozuar shqiptarët ndaj rrezikut të shpenzimeve shëndetësore katastrofale dhe ndaj varfërisë” (f. 93).

U zgjata pak tek çështja e shëndetësisë sepse së fundmi kryeministri Rama u operua në spitalin publik dhe u impresionua me kujdesin dhe ekspertizën që pa aty. Natyrisht është pozitive që kryeministri ynë operohet në një spital publik në vend dhe jo në një spital privat, sidomos jashtë vendit. Është gjithashtu e vërtetë që në spitalet tona publike ka plot investime dhe mjaft mjekë dhe mjeke të afta.

Ama ta shesësh eksperiencën pozitive të kryeministrit si provë të suksesit të sistemit tonë shëndetësor është propagandë mediokre. Eksperienca e qindra mijërave shqiptarëve me sistemin shëndetësor vazhdon të jetë problematike, shpesh e dhimbëshme dhe mjaft varfëruese, sepse një pjesë të mirë të shpenzimeve mjekësore duhet ti paguajnë nga xhepi. Ky është konkluzioni i raportit të Bankës Botërore (BB).

E thënë shkurt, Shqipëria gjatë qeverisjes Rama është zhvilluar vrullëshëm por jo në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Modeli zhvillimor i qeverisë Rama bazohet fort tek sektori i ndërtimit dhe investimet në infrasktrukturë. Është një zhvillim që prek dhe pasuron elitën socialiste (dhe shpesh edhe atë demokrate) që zotërojnë shumë pasuri të patundëshme, pronarët e mediave dhe biznesin e madh ndërtues, por anashkalon dhe shpesh varfëron shumicën e popullësisë shqiptare.
Qoftë modeli zhvillimor i Tiranës (me gjithë anët e tij positive) qoftë propozimi për Dubaizimin e Durrësit, janë projekte që në thelb synojnë të stimulojnë ndërtimin dhe të rrisin vlerën e pasurive të patundëshme. Përfituesit kryesor të këtij modeli janë shtresa e pasur që zotëron pasuri të patundëshme, ndërtuesit dhe bizneset e mëdha, si dhe kapitalet e zeza që pastrohen në sektorin e ndërtimit.

Humbësit e këtij modeli zhvillimor janë qytetarët e thjeshtë, shtresa e mesme dhe e ulët, si dhe brezi i ri që nuk mund të blejnë një apartament në zonat e bukura të regjenerimit urban të prodhuar nga investimet bashkiake. Është një proces që quhet xhentrifikim, zëvendësimi i shtresave të mesme dhe të ulta me shtresat e pasura në zonat e rigjenerimti urban ku çmimet e apartamenteve rriten në stratosferë. Diçka e tillë po ndodh sot tek Liqeni Artificial dhe tek Liqeni i Thatë në Tiranë, dhe nesër do të ndodhë tek porti i Durrësit.

Është një model që pasurimin dhe zhvillimin e përqëndron pothuajse tërësisht në qendër dhe në pak duar sepse bazohet kryesisht tek spekullimi me pasuritë e patundëshme dhe jo tek rritja e produktivitetit. Sikurse tregon edhe raporti i BB-së niveli i produktivitetit në Shqipëri është mjaft më i ulët se mesatarja e rajonit. Ndërkohë punësimi cilësor (high skill jobs) është nën mesataren e Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe investimi i qeverisë Rama në arsimin publik që gjithashtu është nën mesataren e rajonit (f 15 e raportit të BB-së).

Ndaj punësimi masiv që ofron ekonomia jonë për brezin e ri është me paga të ulëta dhe pasiguri të lartë në bare, hotele apo call center. Janë punë me të cilat është e pamundur të blesh një apartament apo të krijosh një familje. Nuk është rastësi që shumica e të rinjve shqiptar rrezikojnë shumë për tu larguar nga Shqipëria.

Ky realitet është mjaft i prekëshëm po të lëvizësh nga qendra e Tiranës ku zhvillohet pothuajse i gjithë debati ynë publik, shpesh mjaft shterpë. Modeli ynë i zhvillimit varfërinë e masivizon dhe e zhvendos drejt periferisë duke e bërë të padukëshme. Qytete si Kukësi dhe periferia e varfër shqiptare sot fizikisht janë më afër se kurrë kryeqytetit, ka rrugë dhe madje aeroporte që i lidhin me Tiranën. Ama e njëjta periferi është më larg se kurrë Tiranës dhe rajonit si nga pikpamja ekonomike edhe ajo sociale.

Mjafton të krahasosh nivelet e varfërisë në periferinë Shqiptare me nivelet e varfërisë në rajon për të kuptuar se përse barkat e refugjatëve që shkojnë në Angli janë të mbushur me shqiptarë dhe jo me maqedonas, boshnjak, serb, apo malazez. Dëshpërimi i popullit të thjeshtë dhe i rinisë shqiptare është më i madh se ai popujve fqinjë.

Kjo është e vërteta e hidhur që përpiqet të fsheh tallavaja ramiste. Në pamundësi për ti ofruar shpresë qeveria Rama i ofron popullit dhe rinisë tallava, sepse në konceptin e tij elitist “populli tallava do”. Synimi është krijimi i imazhit të një kryeministri “popullor” që dëgjon, kërcen dhe identifikohet me popullin e thjeshtë dhe rininë shqiptare. “Rama e do popullin dhe populli e do Ramën” është mesazhi i tallavasë.

E vërteta është se as kryeministri Rama dhe as qeverisja e tij nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët me “popullin e thjeshtë”. Aq më pak ekziston një “histori dashurie” mes tyre. Rama është përfaqësues tipik transformimit të elitës së vjetër komuniste në elitën e re kapitaliste, që më shumë se me dashuri e shikon me dëshpërim popullin shqiptar. Qeveria “socialiste” e Ramës përfaqëson mbi të gjitha interesat e biznesit të madh ndërtues dhe jo ato të rinisë, të shtresës së mesme apo të shtresave në nevojë. Melodia e bukur e Tit Vullkanit nuk e fsheh dot këtë realitet të shëmtuar./Lapsi.al