Në këtë 5 Maj, ditën e dëshmorëve të atdheut, u nderua edhe kujtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, të rënë në krye të detyrës.
Në një ceremoni ku të pranishëm ishin edhe familjarë të dëshmorëve, drejtues të lartë Policisë vlerësuan kontributin dhe sakrificën e efektivëve, që humbën jetën gjatë ushtrimit të misionit dhe detyrës së tyre.
Në ceremoninë përkujtimore dedikuar atyre, u vlerësua kontributi dhe sakrifica që efektivët dhanë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, deklaroi se vepra e efektivëve që nuk janë më do të përkujtohet gjithmonë.
Muhamet Rrumbullaku: Çdo 5 Maj, Policia e Shtetit dhe gjithë populli ynë përulen para veprës dhe sakrificës së kolegëve tanë që nuk janë më mes nesh. Sakrificat e tyre na kanë motivuar dhe na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit dhe të nderojmë uniformën që mbajmë veshur. Ky betim ka në themelet e tij edhe gjakun e 226 Dëshmorëve të Policisë. Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut. Sot, ju nuk jeni vetëm, asnjëherë nuk do të jeni vetëm, por pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit. Djem dhe vajza të Dëshmorëve të Policisë gjenden sot në radhët tona, për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre. Të jeni të bindur që sakrifica e tyre nuk do të shkojë dëm. Për të gjithë ne, për mua personalisht, është detyrë, përgjegjësi dhe reflektim në punën tonë. Puna e gjithsecilit prej nesh, mbart brenda saj sakrificën e qindra Dëshmorëve të Policisë, detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë, në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin. Jeta dhe gjaku i tyre do të do jenë motivi ynë për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!/Limit.al

















