Ballina Kryesore Receta e një ëmbëlsire të shpejtë dhe pa pjekje

Receta e një ëmbëlsire të shpejtë dhe pa pjekje

-Përbërësit:  800 ml qumësht, 8 lugë gjelle me sheqer, 2 pako me puding çokollate, 2 pako biskota të thjeshta drejtkëndore

-Përbërësit: Si fillim hidhni qumështin në një tenxhere dhe vendoseni në zjarr të avashtë. Më parë sigurohuni që të lini një gotë me qumësht mënjanë. Ndërkohë, hidhni sheqerin në një tas, shtoni pluhurin e dy pakove të pudingut dhe shtoni gotën e qumështit që keni lënë mënjanë.

Përzjeini të gjitha bashkë, sheqerin, pluhurin e pudingut dhe qumështin derisa masa të bëhet homogjene. Kur qumështi të jetë ngrohur shtoni me ngadalë, duke trazuar vazhdimisht masën e lëngshme të pudingut dhe vijoni të përzjeni derisa masa të mpikset e të bëhet kremoze. Më pas, largoheni nga zjarri dhe lëreni mënjanë.

Në këtë moment nisni përgatitjen e ëmbëlsirës. Hapni biskotat. Merrni biskotat një e nga një, lyejini me nga një lugë çaji puding në mes dhe bashkojini me njëra tjetrën. Biskotat e lyera me puding vendosini në një pjatancë të madhe.

Pasi t’i keni lyer të gjitha me puding dhe t’i keni bashkuar me njëra tjetrën ose vendosni në një tavë një rresht me biskota, një shtresë me puding e kështu me rradhë, me pjesën e mbetur të pudingut lyeni të gjitha anët e ëmbëlsirës dhe sipërfaqen. Nëse preferoni, në sipërfaqe mund të shtoni disa arra të thërrmuara, biskota të thërrmuara, fruta të thata apo edhe reçelra të ndryshëm.

Futeni në frigorifer për 2-3 orë, e më pas nxirreni nga frigoriferi dhe shërbejeni duke e ndarë në racione. Gjatë kohë që qendron në frigorifer, biskotat do të zbuten ndërsa kremi do të bëhet kompakt.

Këtë recetë mund ta përgatisni edhe me dy lloje pudingu, çokollate dhe vaniljeje dhe me njërin lloj të bëni mbushjen brenda biskotave dhe me tjetrën pjesën e jashtme të ëmbëlsirës. /AgroWeb.org /Limit.al