Situata brenda kampit të Paris Saint Germain nuk është aspak e qetë. Rezultatet e dobëta të ndeshjeve të fundit në kampionat, kanë agravuar më tepër situatën negative brenda skuadrës, ndërsa kjo gjë nuk ka lënë aspak një shije të mirë tek tifozët e skuadrës pariziene.
Një numër i madh tifozësh, në ndeshjet që PSG ka zhvilluar në ‘Parc de Prince’ madje kanë fërshëllyer lojtarët e ekipit të tyre.Por së fundmi, një ngjarje tjetër e paprecendentë ndodhi me Leo Messin.
Në mes të një krize sportive dhe pasi u konfirmua se argjentinasi nuk do të vazhdojë më sezonin e ardhshëm, për shkak të mungesës së një projekti të qartë sportiv, klubi është detyruar të lëshojë një deklaratë zyrtare, për të dënuar veprimet e tifozëve të vet, protestat e të cilëve kanë dalë jashtë kontrollit.
Disa ultras kanë fyer bordin drejtues dhe disa lojtarë, mes të cilëve edhe Leo Messin, ku në drejtim të tij kanë adresuar fyerje dhe ofendime të rënda.
Paris Saint-Germain dënon ashpër veprimet e patolerueshme dhe fyese të një grupi të vogël individësh që ndodhën të mërkurën. Sido që të jenë dallimet e mendimeve, asgjë nuk justifikon veprime të tilla.
Klubi jep mbështetjen e tij të plotë për lojtarët e tij, stafin e tij dhe të gjithë ata që janë në shënjestër nga një sjellje e tillë e turpshme, shkruhej në reagimin e klubit parizien.
REAGIMI ZYRTAR I KLUBIT TË PSG
Më herët, disa tifozë ishin mbledhur përpara selisë së klubit për të lexuar një deklaratë në të cilën ata pretendonin ‘të jenë thellësisht të shqetësuar për të ardhmen e klubit’. Ata kërkuan shpjegime në lidhje me menaxhimin dhe situatën brenda klubit./Limit.al