Autizmi përfaqëson një çrregullim të rëndësishëm të zhvillimit të fëmijës, që manifestohet me izolimin e tij nga bota e jashtme dhe nga një mungesë e interesit për kontakte shoqërore. Termi autizëm vjen nga greqishtja, dhe shpreh fenomenin e tërheqjes së personit në botën e tij të brendshme.

Problemi më i rëndësishëm i fëmijëve autikë është mungesa e interesit për të komunikuar me të tjerët. Kjo reflektohet në vështirësinë e madhe që hasin prindërit e tyre për të vendosur një mënyrë kontakti me fëmijën autik. Sipas shkallës së rëndesës, dallohen tre forma të autizmit, ku format më të përhapura janë sindroma Kaner dhe sindroma Asperger.

Autizmi është një fenomen që haset më tepër tek meshkujt, dhe shfaqet përgjithësisht para vitit të tretë të jetës.

-Shkaqet

Sipas njohurive të deritanishme mbi autizmin, në shfaqjen e tij luajnë rol favorizues faktorë të ndryshëm, si:

  • Predispozita gjenetike
  • Çrregullimet metabolike në nivelin e trurit
  • Çrregullimet e funksionit të trurit
  • Shfaqja e rubeolës gjatë shtatzanisë

Është më se e qartë që autizmi nuk është pasojë e edukimit jo të mirë të fëmijëve nga ana e prindërve dhe kujdestarëve, dhe as i konflikteve në familje.

-Simptomat

Autizmi manifestohet me çrregullime të sjelljes, që ndahen në tre kategori:

  1. Kufizimi i komunikimit, si nëpërmjet të folurës, ashtu edhe në nivele të tjera.
  2. Mungesa e interesit për kontakt me persona të tjerë
  3. Interesat dhe aktivitetet e kufizuara

-Trajtimi

Objektivi kryesor i trajtimit të autizmit është përmirësimi dhe zhvillimi i aftësive komunikuese dhe shoqërore të fëmijës.Për këtë qëllim, duhet filluar sa më shpejt që të jetë e mundur terapia e sjelljes, specifike për autizmin. Kjo terapi konsiston në identifikimin e defiçiteve të fëmijës dhe përmirësimit të tyre nëpërmjet ushtrimeve specifike.

Është tepër e rëndësishme që në këtë terapi të përfshihen prindërit dhe kujdestarët e fëmijës, në mënyrë që të mund t’i vazhdojnë ushtrimet edhe në shtëpi. Në rastin e çrregullimeve të të folurit, rekomandohen ushtrime me kontakt të drejtpërdrejtë, që të nxisin këtë proçes. Në të tilla raste mund të jenë të dobishme edhe mënyra të tjera të trajtimit, si terapia me muzikë, terapia me lëvizje ose terapia me praninë e kafshëve. /Medinfo.al /Limit.al