‘Numri dy’: Një histori për djalin që nuk u zgjodh për të luajtur Harry Potter-in

Suksesi dhe dështimi janë një fije larg njëri-tjetrit, po a është lumturia prej suksesit gjithnjë e garantuar, kurse dështimi domosdoshmërisht një humbje? Ky është libri “Numri dy” me një fjali (“Numero deux”, titulli në origjinal).

Informacion i përgjithshëm rreth librit: Më 1999, u zhvillua audicioni për gjetjen e aktorit kryesor që do të luante rolin e Harry Potter-it, rol që do ta shndërronte djaloshin fitues në njeriun më të famshëm në botë. Qindra kandidatë morën pjesë në atë audicion, por në fund mbetën vetëm dy. Ky roman tregon historinë e djalit që nuk u zgjodh. Historia nuk bazohet në ngjarje të vërteta, por kombinon imagjinatën e shkrimtarit me faktet nga procesi i përzgjedhjes së aktorëve.

Martin Hilli është një djalë i vogël dhjetëvjeçar, me një jetë të zakonshme. Aq sa mund ta lejojnë kushtet ku jeton pas divorcit të prindërve. Thuajse rastësisht, teksa ndjek të atin në një shesh xhirimi, Martini i bie në sy një producenti që po zhvillon filmin e parë të sagës së Harry Potter-it. Fazë pas faze, djaloshi do të kalojë qindra kandidatë të tjerë, derisa në finale do të mbeten vetëm dy rivalë. Por fitues i rolit do të jetë djali tjetër. Kësisoj, Martinit do t’i shkërmoqen të gjitha shpresat që kishte ushqyer dhe tani e tutje do të krahasohet vazhdimisht me triumfin e gjithëpranishëm të rivalit të tij.

Si mund ta marrë veten nga ky dështim, kur aventurat e magjistarit të vogël dhe përshtatjet e tyre kinematografike do të arrijnë sukses pas suksesi? Si do të jetojë Martini pas kësaj që ai e quan dështimin më të madh të jetës së tij?

Ky roman i ri i David Foenkinos-it, zbavitës dhe i pazakontë, nuk është thjesht historia e një dështimi. Martini thuajse ia doli mbanë, për një fije nuk e arriti suksesin dhe vendi i dytë është padyshim më i padurueshmi. Një fantazi melankolike përshkon gjithë romanin, që arrin të kapë me saktësi dhe lehtësi përhumbjen e një djaloshi që përballet vazhdimisht me krahasimin e asaj çka mund të kish qenë jeta e tij.

David Foenkinos është i njohur në Shqipëri përmes librave të tjerë të tij, botuar nga Pegi, si: “Delikatesa”, “Sharlota” dhe “Zigzage takimesh”. Në maj 2014, ai ka qenë i pranishëm në promovimin e librit të tij të parë të botuar në Shqipëri, “Delikatesa”. Ai është shkrimtar, regjisor dhe skenarist i famshëm francez. Është nderuar shumë herë me çmime nga më të ndryshmet, ndër të cilat Reanaudot dhe Goncourt des lycéens për romanin “Sharlota”./Anabel.al