Hidhet shorti i Nations League 2023-2024 për femra, short i kalueshëm për vajzat e Kombëtares shqiptare

Në Nyon të Zvicrës u hodh shorti i Uefa Nations League për femra, për edicionin 2023-2024. Goglat përcaktuar kundërshtarët e Kombëtares shqiptare.

Lojtaret kuqezi të drejtuar nga trajneri Armir Grima, do të përballen në grupin B1 me Hungarinë, Irlandën dhe Irlandën e Veriut.

Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e kësaj faze do të nisin në muajin shtator dhe do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje dhe ndeshjet përmbyllëse do të luhen në muajin dhjetor.

Sakaq, për të përcaktuar datat, oraret dhe vendet se ku do të zhvillohen ndeshjet e këtij kompeticioni të rëndësishëm, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit do të diskutojnë me homologët e tyre të grupit B1, për të vendosur kalendarin përfundimtar, që do t’i bëhet me dije mediave dhe opinionit publik menjëherë.

Sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, katër ekipet e Ligës B që dalin në krye të grupeve përkatëse do të ngjiten direkt në Ligën A, ndërsa katër ekipet e renditura në vendet e dyta në Ligën Bdo të përballen me katër skuadrat e renditura në vendet e treta në Ligën A, ku fituesit do të qëndrojnë/zbresin në Ligën A/B.

Tre ekipet e renditura në vendet e treta në Ligën B do të luajnë kundër tre ekipeve të renditura më mirë në grupin C, ndërsa vendi i tretë më i dobët në Ligën B dhe katër vendet e fundit të secilit grup do të zbresin automatikisht në Ligën C./Limit.al