Poezi e Nazim HIKMET e përkthyer nga Besnik MUSTAFAJ
Karriget flenë në këmbë
dhe tryeza.
Qilimi është shtrirë gjerë e gjatë në shpinë
me gjithë qëndismat e përdredhura.
Fle pasqyra.
Sytë e dritareve i kanë ulur qerpikët.
Ballkoni fle me këmbët e varura në zbrazëtirë.
Mbi çatinë përballë flenë tymtarët.
Flenë akaciet anë trotuarit.
Reja fle,
me gjithë yllin në kraharor.
Në shtëpi dhe jashtë saj fle drita.
Dhe u zgjove ti e bukura ime.
U zgjuan karriget,
nxituan të zënë vendet e veta.
U zgjua tryeza.
Qilimi u ngrit ndënjur.
Qëndismat e tij celen petalet.
Pasqyra u zgjua si një liqen në ag.
Dritaret shqyen sytë e tyre pafundësisht të kaltër.
U zgjua ballkoni
e ngriti këmbët e varura në zbrazëtirë.
Tymtarët përballë lajmëruan ndezjen e zjarrit.
Anë trotuarit cicëruan akaciet.
U zgjua reja.
Yllin e saj e fshehu në dhomën tonë.
Në shtëpi dhe jashtë saj u zgjua drita,
e përmbyti flokët e tu,
të rrodhi në pëllëmbë,
e t’u mbështoll rreth trupit të zhveshur e këmbëve të bardha.
___________
(Marrë nga libri “Barra e shenjtë”)