Kategoria Superiore, Kukësi dhe Teuta ndahen në paqe, 1 pikë nuk kënaq asnjë nga skuadrat

Ndeshja e javës së 31-të e Superligës Shqiptare mes Kukësit dhe Teutës u mbyll në paqe 0-0. Sfida e luajtur në ‘Kukës Arena’ prodhoi emocione të shumta, me goditjen e shtyllave nga lojtarët e të dyja ekipeve, e me ndërhyrjen e VAR, por në fund gjithçka u mbyll pa gola. Një pjesë e parë e luajtur më mirë nga të besuarit e Rrahman Hallaçit, që rrezikuan në disa raste portën e Pano Qirkos, por gardiani i durrsakëve ndërhyri në mënyrë perfekte. Në minutën e 33-të, Kukësi i afrohet golit. Gjelbrim Taipi gjuan bukur, por Qirko shpëton durrsakët nga gol i sigurtë.

Kuksianët e mbyllën në sulm 45-minutëshin e parë të lojës.

Pjesën e dytë Teuta e nis më mirë. Sherif Kallaku provon me një tentativë nga distanca, por Halimi i mohon golin skuadrës bregdetare, në minutën e 54-t. Në minutën e 65-të, Teuta pretendon për penallti, por gjyqtari edhe pas konsultimit me VAR, vëren më herët një faull në mesin e fushës, në favor të verilindorëve. Taipi trondit shtyllën e durrsakëve në minutën e 71-të, nga një goditje dënimi, me topin që përfundon në shtyllën e majtë pingule. Radhën për të goditur shtyllën e kanë dhe të besuarit e Edi Martinit. Oshafi në të 95-ën gjuan bukur, por sfera ndalet nga shtylla dhe me këtë rast mbyllet dhe takimi.

Kukësi renditet në vendin e 8 me 37 pikë, ndërsa Teuta në të 6-in me 39 pikë./Limit.al