Egnatia “sakaton” Vllazninë në “Loro Boriçi”, rrogozhinasit i “lënë targën”shkodranëve për Europën

Egnatia mori një rezultat spektakolar dhe të pabesueshëm në Shkodër, ndaj Vllaznisë.

Rrogozhinasit triumfuan me rezultatin 0-4, në ndeshjen për llogari të javës së 31-të të Superligës shqiptare.

Takimi në ‘Loro Boriçi’ foli tërësisht për miqtë, që arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 23-të me anë të Mëllugjës.

Skuadra e Edlir Tetovës dyfishoi shifrat me Dwamena në minutën e 55-të, me anë të një kundërsulmi perfekt, i cili kaloi këdo që i doli përpara.

Kur të gjithë prisnin kundërpërgjigjen e Vllaznisë, Egnatia shokoi sërish kuqeblutë në minutën e 77-të me Fernandos.

Për të vulosur shifrat përfundimtare të kësaj sfide mendoi Jackson, i cili e shtyn topin në rrjetë për t’i dhënë Egnatias fitoren 0-4.

Rrogozhinasit hedhin një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit për të kapur kupat e Europës, ndërsa Vllaznia largohet gjithnjë e më shumë nga Europa./Limit.al