Ballina Kosova 1 Maji në Kosovë, mes papunësisë dhe mungesës punëtorëve

1 Maji në Kosovë, mes papunësisë dhe mungesës punëtorëve

KOSOVË– Një Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës – e gjen Kosovën me shifër më të ulët të papunësisë, krahasuar me vitet e kaluara, por me mungesë punëtorësh në disa sektorë. Nga 45% sa ka qenë shkalla e papunësisë në vitin 2008, kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ajo ka rënë në afro 17 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, tregojnë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Të dhënat për gjithë vitin 2021 tregojnë se shkalla e papunësisë ka qenë mbi 20 për qindSipas ASK-së, nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe mbi 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë. Pavarësisht këtyre shifrave, punëdhënësit kanë raportuar – sidomos gjatë viteve të fundit – vështirësi për të gjetur punëtorë për pozita të caktuara. Me këtë problem janë përballur më së shumti bizneset në sektorin e bujqësisë, gastronomisë, ndërtimtarisë dhe tekstilit.

Vetëm në platformën ‘superpuna’ të Qeverisë së Kosovës, e cila është vënë në funksion në muajin shkurt me qëllim punësimin e të rinjve, janë nxjerrë afër 5 mijë vende të lira pune brenda dy muajsh. Disa biznese në Prishtinë, kanë të vendosura shpallje nëpërmjet së cilave kërkojnë punëtorë. Po ashtu, në dyert dhe dritaret e bizneseve janë bërë të shpeshta shpalljet përmes të cilave kërkohen punëtorë.

Pse ka rënë interesimi për të punuar?

Me mungesë punëtorësh përballet sidomos sektori privat, i cili njëherësh është edhe punëdhënësi më i madh në Kosovë – me mbi 220 mijë punëtorë. Interesimi i qytetarëve për të punuar në këtë sektor ka rënë për disa arsye. Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës dhe disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë me punëtorë të sektorit privat, ata janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.

“Me vite të tëra kemi tërhequr vërejtjen se sektori privat nuk po trajtohet as për së afërmi sipas Ligjit të punës. Në mungesë të respektimit të të drejtave, shumë punëtorë kanë hequr dorë nga puna”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat.

Paga minimale në Kosovë sillet nga 130 deri në 170 euro. Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me këtë shumë paguhen rreth 105 mijë punonjës. Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj. Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor të vitit të kaluar, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Ky projektligj nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës. Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë. Paga mesatare në Kosovë në vitin 2021 ka qenë 484 euro. Në fillim të shkurtit të këtij viti, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për pagat, i cili u ka sjellë rritje gati të gjithë punonjësve të sektorit publik. Autoritetet kanë thënë se me këtë ligj, paga mesatare do të arrijë deri në 730 euro.

Aftësohen në Kosovë, synojnë tregun e BE-së

Shumë të rinj në Kosovë, përgjatë viteve, janë aftësuar në profesione të ndryshme në Agjencinë e Punësimit – institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional. Përmes shtatë qendrave të saj nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera. Por, shumë të rinj që aftësohen në këto qendra, largohen nga Kosova, për t’u punësuar jashtë vendit. Udhëheqës të këtyre qendrave kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se shumë prej tyre synojnë tregun e Bashkimit Evropian.

Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000. Arsyet e emigrimit kanë qenë të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi. Mungesa e punëtorëve ka detyruar, pastaj, disa biznese në Kosovë që të kërkojnë punëtorë prej jashtë vendit. Në tetor të vitit të kaluar, Radio Evropa e Lirë ka raportuar për kompaninë ‘Viprint’ nga Mitrovica, e cila ka punësuar punëtorë nga Bullgaria, Turqia dhe India, për të ofruar shërbime të shtypshkrimit. Disa biznese në Prishtinë kanë të vendosura shpallje nëpërmjet të cilave kërkojnë punëtorë. Tetor, 2022.

Si ndikon mungesa e punëtorëve në ekonomi?

Shoqatat ekonomike në Kosovë, të cilat përfaqësojnë bizneset, kanë paralajmëruar se mungesa e punëtorëve do të bëhet një nga pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë.

“Për të zbutur problemin duhet të bëhen përpjekje nga të gjithë – duke filluar nga institucionet deri te punëdhënësit, të cilët duhet të shqyrtojnë, para së gjithash, nivelin e pagave”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka.

Kosova, prej vitesh, përballet me probleme ekonomike. Rritja ekonomike në vitin 2022 ka qenë 3.5 për qind. Sipas të dhënave të Grupit të Bankës Botërore, Kosova, në vitin 2023, pritet të ketë rritje ekonomike 3.7 për qind.Nxitës të zhvillimit ekonomik pritet të jenë kryesisht konsumi privat, eksportet dhe investimet publike./REL-Limit.al