Roma-Milan mbyllet me dramë, shkëlqen Berat Gjimshiti, Atalanta ëndërron Champions Leaguen

Roma dhe Milan u ndalën në një barazim 1-1, në ndeshjen e javës së 32-të së Seria A. Dueli i zhvilluar në ‘Olimpico’ u ndez vetëm në fundin e saj, ku përfundimi ishte dramatik. Pjesa e parë prodhoi shumë pak raste për shënim nga të dyja ekipet.
Fraksioni i dytë i lojës shfaqi një tablo ndryshe nga e para, me skuadrat që u hapën dhe tentuan të fitonin ndeshjen, duke krijuar kundërsulme të shpejta. Saelemaekers shpërdoroi një rast të artë në minutën e 60-të, ku nuk arriti dot të shënjestrojë si duhet portën e Rui Patricios.
Kur gjithçka u duk se kjo sfidë do të mbyllej me portat e paprekura, Roma gjen golin e avantazhit në minutën e 94-të, me sulmuesin Abraham.
Emocionet nuk kanë të ndalur, kur pas vetëm 3 minutash kuqezinjtë vendosin baraspeshën.
Saelemaekers nuk gabon kësaj radhe, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.

Ndeshja mbyllet 1-1, ndërkohë që të dyja ekipet kanë nga 57 pikë dhe janë në garë për një vend në zonën Champions sezonin e ardhshëm.

Berat Gjimshiti zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në fitoren e Atalantës në transfertë, përballë Torinos. Bergamaskët triumfuan me rezultatin 1-2, falë golave të Zappacosta dhe Zapata.
Mbrojtësi i kombëtare shqiptare luajti një ndeshje të nivelit të lartë, duke u kthyer në pikën kyçe në mbrojtjen e zikaltërve.
Gjimshiti u vlerësua nga mediet italiane për paraqitjen, ndërsa mori notën 7.5.
Me këtë fitore, Atalanta shpreson për një kualifikim për në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm./Limit.al