Partizani shpreson ende te titulli, Laçi drejt Europës, Bylis drejt rënies nga kategoria

Partizani mori 3 pikë të arta ndaj Erzenit, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Të kuqtë kryeqytetas mposhtën në transfertë shijakasit me rezultatin 1-2, në ndeshjen e javës së 31-të të Kategorisë Superiore. Sfida e zhvilluar në ‘Niko Dovana’ të qytetit të Durrësit, nisi mirë për kryeqytetasit, të cilët tentuan në disa raste të rrezikonin portën e Xhikës, por pa ja dalë dot. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Erzeni rrezikoi në 2 raste, por Rexhepi fillimisht grushtoi një kros të Alan, që ishte nisur në drejtim të Ademit, e më pas tentativa e Osmanllarit nuk gjen kuadratin e portës.

Pas një pjese të parë të mbyllur pa gola, takimi u zhbllokua në minutën e 60-të. Një skemë perfekte nga një goditje dënimi, me Da Silvën, që mposht me lehtësi portierin e shijakasve.

Pas këtij goli të shënuar, të besuarit e Giovanni Colellës realizuan edhe të dytin në minutën e 86-të. Hoti shënoi një gol mjaft të bukur, duke e çuar topin në fundin e rrjetës.

Arbitri akordon 5 minuta shtesë, por për shkak të ndalesa të shumta, luhen deri në të 99-ën, kur skuadra e Xhevair Kapllanit realizon një gol thjesht sa për statistikë. Kahrimanoviç shënoi me atë të një 11-metërshi.

Me këtë gol mbyllet dhe ndeshja. Partizani me këtë fitore shkon në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Erzeni mbetet pranë zonës së ftohtë, me vetëm 38 pikë.

Laçi triumfon ndaj Bylisit dhe sheh drejt Europës, ndërsa mallakastriotët e shohin veten drejt rënies nga kategoria. Sfida për llogari të javës së 31-të të Superligës shqiptare, përfundoi me suksesin e kurbinasve në transfertë, me rezultatin 0-2. Ballshiotët zhvilluan një paraqitje të mirë, duke krijuar raste të pafundme për shënim, por laçianët u treguan më cinik, duke i ndëshkuar 2 herë.

Takimi nisi më mirë për vendasit, por ishin lojtarët e Laçit ata që gjetën golin e avantazhit. Pas një kundërsulmi të bukur, skuadra e Stavri Nicës kalon në epërsi, me golin e shënuar nga Stiven Bibo në minutën e 30-të.

Me shifrat 0-1 mbyllet pjesa e parë e lojës.

Në fraksionin e dytë, ishte sërish Bylis që tentoi disa herë portën e mbrojtur nga Selmani, por pa gjetur dot kordinatat e sakta. Në fund, miqtë gjetën sërish golin e dytë me anë të një kundërsulmi. Në minutën e 91-të, Babatunde i gjendur përpara portës së Teqjajt, nuk gabon dhe vulos suksesin e ekipit të tij. Ndeshja përfundon me shifrat 0-2./Limit.al