MALI I ZI– Iniciativa e Komunës së Zetës për ç’njohjen e Kosovës nga Mali i Zi është kthyer në temën më të diskutuar në Potgoricë. Këtë të dielë ka reaguar dhe Millosh Gjuriçkoviç, i cili ka treguar dhe qëllimin e ‘’vërtetë’’ se përse është marrë një iniciativë e tillë.
Millosh Gjuriçkoviç: A mendoni se Asanoviqi [kryetari i Komunës së Zetës] është budalla? Nuk është! Synimi është të tregohet se shteti i Malit të Zi dhe institucionet e tij nuk ekzistojnë. Filloi me ministrat të cilët me qëndrimin e tyre ‘personal’ ndaj Srebrenicës dhe Republikës Srpska, ndryshuan politikën e jashtme të Malit të Zi. Çfarë do të ndodhë kur të njëjtën iniciativë të nisin Podgorica, Nikshiqi, Budva, Berane, Plevle dhe Tivati? A do të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetarët dhe turistët e Kosovës apo ta paguajnë taksën turistike në këto komuna? A janë të mirëpritur?.
Gjuriçkoviç vlerësoi se Fronti Demokratik (FD) është i qartë në synimet e tij dhe po i zbaton ato.
Millosh Gjuriçkoviç: Abazoviç dhe Milatoviç janë më meritorët për FD në pushtet! Të gjithë të tjerët janë bashkëfajtorë në përmbysjen e shtetit. Qytetarët që i kanë mbështetur duhet të zgjohen nga hipnoza para se të jetë tepër vonë. Kur të kalohet vija e kuqe do të jetë tepër vonë!
Tetë muaj pasi Zeta u bë komunë e pavarur, në kuvendin e saj do të paraqitet Deklarata për anulimin e Vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryekomunari Mihailo Asanoviç nga Fronti Demokratik (FD), parti pro-serbe, pranon se nuk do të kishte fuqi ligjore, por duan të përcjellin se qytetarët e Zetës janë kundër politikave të qeverisë aktuale dhe asaj të mëparshme.
Sipas tij këtë plan do t’i ndjekin edhe qytetet e tjera ku DF ka shumicë. FD ka gjysmën e këshilltarëve në Kuvendin e Zetës dhe Asanoviq beson se Zeta është vetëm komuna e parë që do të deklarohet për njohjen e Kosovës.
Mihailo Asanoviç: Jam i sigurt se kjo iniciativë do të vazhdojë në Budvë dhe në disa qytete të tjera dhe se do të përmbushë vullnetin e qytetarëve dhe këshilltarëve.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008 dhe njohja çoi në protesta në Podgoricë, ku shpërthyen trazira./Limit.al