Nga Bledar Kurti
Prej kohësh është zbuluar se truri i njeriut është i programuar për të bërë parashikime të gabuara. Njerëzit janë qenie që kërkojnë modele. Psikologët kanë zbuluar se nëse u prezanton njerëzve një sekuencë apo skenar të rastësishëm – edhe pse dihet se është i paparashikueshëm – gjithësesi ata do të këmbëngulin të hamendësojnë se ata e dinë se çfarë do të ndodhë. Për shembull, kush do i fitojë zgjedhjet, dhe me cilin rezultat. Ndaj edhe shumë njerëz blejnë bileta lotarie çdo javë, duke këmbëngulur se do fitojnë, e po kështu partitë politike dhe kandidatët e tyre.
Hulumtimet në neuroshkencë tregojnë se truri ynë është krijuar për të perceptuar mundësitë edhe aty ku ato mund të mos ekzistojnë. Nëse një ngjarje ndodh më shumë se një herë radhazi, zonat e trurit të njeriut të quajtura “cingulate anterior”dhe “nucleus accumbens” automatikisht parashikojnë që ajo të ndodhë përsëri. Sepse nëse një skenar përsëritet, një kimikat natyral i quajtur “dopaminë” lëshohet, duke e përmbytur dhe ushqyer trurin me eufori. Dhe njeriu bëhet optimist, i bindur dhe i vetë-kënaqur për fitoren. Ndërkohë që është thjesht një dëshirë, një iluzion, që nuk ka aspak lidhje më faktet dhe të vërtetën.
Dhe më e keqja është se njeriu bëhet i varur ndaj parashikimeve të veta. Kjo është arsyeja, siç edhe e kemi parë, që drejtuesit politik, edhe pse humbasin zgjedhjet rradhazi, gënjejnë veten se fitorja do vijë në betejën e radhës, e me këtë rast gënjejnë e mbajnë të varur edhe ndjekësit, të cilët mendojnë se kryetari i tyre “di diçka që ata nuk e dinë” ose “ka një plan gjenial” pa kuptuar se drejtuesi thjesht ka rënë pre e kimikatit gënjeshtar të dopaminës së trurit.
Në politikë, cilido që udhëhiqet nga iluzioni mendor, do humbasë gjithmonë. Politika është shkencë e bazuar mbi numra, përllogaritje, barometra, indekse, formuola, algoritme, marketing dhe eksperimente. Ashtu si shkencat e tjera, politika përdor një qasje shkencore. Që do të thotë është objektive, racionale dhe sistematike.
Thënë thjesht: një punë me laps e me letër e jo me brohoritje kuturu.
“Politika është më e vështirë se fizika,” tha Albert Einstein, ndaj cilido që e trajton atë me amatorizëm si frymë, si dëshirë, eufori, gabon rëndë e humbet gjithmonë. Fitimtari është ai që i bën më së miri detyrat e shtëpisë./dritare.net