Në katin e 50-të të ndërtesës “Palm Towers” në Dubai, ndodhet një pishinë pafundësisht mbresëlënëse, me një pamje të mrekullueshme nga të katër anët e botës.

Në një lartësi prej 200 metrash, Aura Skypool u ofron vizitorëve një ndjenjë të paharrueshme të të qenit në një ishull në qiell.

Një vendndodhje e përsosur me pamje nga i gjithë Dubai dhe ku bëhen fotot më të mira, salla e pritjes Aura Skypool është kthyer shpejt në një nga destinacionet e preferuara turistike.

Në katet e 49-të dhe të 50-të të Palm Towers, në një arkipelag artificial në formën e një palme, Kokaistudios, një studio ndërkombëtare me çmime të shumta e themeluar në Itali, ka krijuar ambientin e një oazi fantastik urban, të cilin ata e quajnë një ishull në qiell.

I shtrirë në dy kate, duke përfshirë dhomat luksoze të zhveshjes dhe një zonë të mbyllur për pushim plot dritë, dizajni merr elementë nga natyra, duke krijuar një ambient luksoz por të rehatshëm për relaksim.

E ashtuquajtura pishinë e pafundësisë, pa buzë të dukshme, rrethon të gjithë katin, duke ofruar një pamje 360 gradë të panoramës së ditës ose natës të Dubait.

Lartësia e pishinës kërkon mbrojtëse në çdo cep për të parandaluar dallgët e tejmbushura mbi skajin e jashtëm të ndërtesës. Ato janë bërë në mënyrë që notarët të mund të kalojnë lehtësisht nën to, dhe dizajni krijon ndarjen vizuale nga hapësira e jashtme. Pamja si nga retë, teksa shijon pishinën, është një ndjesi që sfidon plotësisht gravitetin.

E gjithë hapësira është e organizuar në mënyrë që t’u ofrojë vizitorëve një privatësi të caktuar, por edhe të jetë e përshtatshme për vizita në grup dhe evente të organizuara. Dizajni i Kokaistudios përfshin gjithashtu një bar në natyrë përgjatë anës lindore të pishinës, një vend të hapur për festa ekskluzive dhe ngjarje private.

Në qytetin që mbështetet tërësisht në ajër të kondicionuar, Aura Skypool u ofron vizitorëve një përvojë unike të jetesës së rehatshme në natyrë. Përdorimi i materialeve natyrore dhe prania e bimëve, krijojnë përshtypjen e të qenit në plazh. Me të njëjtin synim u zgjodh edhe stolisja prej druri në formë kuverte përgjatë sipërfaqeve të pishinës, si dhe pllakat që me teksturën e tyre të japin ndjesinë e ecjes në rërë. /Telegrafi – Limit.al