Nuk ndalen serat e kanabisit në Krujë, Policia asgjëson 520 fidanë, vihet në kërkim të autorëve

Kultivimi i kanabisit nëpërmjet serave është kthyer në një fenomen në rritje dhe shqetësues për Policinë e Krujës.

Mesditën e kësaj të premteje efektivët e Policisë zbuluan një tjetër serë, kësaj radhe në fshatin Brret.

Policia gjeti rreth 520 fidanë narkotikë kanabis, të gatshëm për t’u mbjellë në tokë, me qëllim kultivimin.

Fidanët me kanabis u asgjësuan me anë të djegies, bënë të ditur uniformat blu, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i Policisë:

Krujë

Skuadra policore të pajisura me dronë, vijojnë kontrollet në zonat e pyllëzuara të rrethit të Krujës, në kuadër të operacionit policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Kontrollet, me pjesëmarrjen e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës.

Zbulohet një serë me rreth 520 fidanë narkotikë kanabisi, të gatshëm për t’u mbjellë në tokë, me qëllim kultivimin.

Si rezultat i kontrolleve intensive, në të gjithë territorin e rrethit Krujë, në zbatim të planit operacional policor antikanabis, të koduar “Territor i pastër”, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave që në fazë fillestare, të kultivimit të bimëve narkotike, është konstatuar dhe goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.

Skuadrat policore, të ngritura në kuadër të këtij plani operacional, zbuluan në një territor të fshatit Brret, Krujë, një serë të improvizuar, brenda së cilës u gjetën rreth 520 fidanë të dyshuar narkotikë kanabisi, të gatshëm për t’u mbjellë në tokë, me qëllim kultivimin e tyre.

Fidanët e dyshuar narkotikë u asgjësuan me anë të djegies.

Ndërkohë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e rrethit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”./Limit.al