Ballina Kryesore Manchester City “fiton” titullin ndaj Arsenalit, Chelsea nuk sheh dritë në fund...

Manchester City “fiton” titullin ndaj Arsenalit, Chelsea nuk sheh dritë në fund të tunelit, triumfon Liverpool

Manchester City i shuan ëndrrat për titullin kampion Arsenalit, duke i mposhtur në ndeshjen direkte mes tyre. Skuadra e Guardiolas shkatërroi në ‘Etihad Stadium’ londinezët me rezultatin 4-1. Kampionët në fuqi të Premier League dominuan duelin, ku Kevin De Bruyne ishte fantastik me paraqitjen e tij, me 2 gola të bukur dhe 1 asist. Mesfushori belg hapi sfidën në minutën e 7, e më pas realizoi dopietën personale në minutën e 54-t. Rrugën e rrjetës e gjetën edhe John Stones e Erling Haaland, në minutën e 95-të, ndërsa për topçinjtë golin e nderit e realizoi Rob Holding në të 86-ën. Tashmë diferenca mes Arsenalit dhe Manchester Cityt mbetet vetëm 2 pikë, por me ‘The citizens’ që kanë për të zhvilluar edhe dy ndeshje të prapambetura, e me kalendarin më favorizues.

MANCHESTER CITY-ARSENAL (VIDEO)

Chelsea nuk sheh dritë në fund të tunelit. Blutë e Londrës vijojnë me ecurinë negative në kampionat, duke u mposhtur sërish, kësaj radhe nga Brentford. Të besuarit e Frank Lampard u mundën 0-2 në ‘Stamford Bridge’. Një autogol i Azpilicuetas në minutën e 37-të dhe goli Mbeumo në të 78-ën vulosën dështimin e radhës të Chelseat. Londinezët kanë arritur të grumbullojnë vetëm 39 pikë, në 32 javë kampionat.

Fitore me përmbysje për Liverpoolin, që mposhti në transfertë West Hamin me shifrat 1-2. Me këtë sukses ‘The Reds’ shpresojnë ende për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm. Vendasit e nisën mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e 12-të, falë një goli mjaf të bukur nga Paquetà. 6 minuta më vonë Gakpo vendosi baraspeshën, ndërsa Matip në minutën e 67-të i dha fitoren skuadrës së Jurgen Klopp./Limit.al