Berisha pas Belos apo Rama pas Lalit?

Nga Alfred Lela

Belind Këlliçi ka filluar të shihet nga kundërshtari Veliaj si rival serioz. Nuk mund të lexohet ndryshe përpjekja për ta reduktuar herë si ‘dhëndrri jonë’, dhe herë si ‘kukull” e Berishës, veçse si të kuptuarit se gara për Tiranën dhe fushata me outlook rinor dhe koncepte serioze e Belindit është një kërcënim i hapur për Veliajn.

Në këtë dybrirësh të sulmit politik, që gatuhet për Belon, duhet demontuar pretendimi se ai është “kandidati i Berishës”, për faktin se është i pavërtetë, qoftë konceptualisht qoftë faktikisht.

Që të kundërshtosh një tezë duhet, së pari, të rrëzosh premisat mbi të cilat ndërtohet. Premisa e parë është Berisha, por ai nuk mund të kuptohet pa rivalin e vet të ngjashëm (counterpart-in) Rama. Kur i shjegojmë këta të dy politikanë në raport me Tiranën, për të cilën janë në sfidë Belo e Lali mund të themi lirisht se, i pari është lider i tipit konservator kombëtar ndërsa i dyti progresist-kozmopolit.

Berisha, në të gjitha fushatat, edhe pse i ka kushtuar vëmendjen e duhur Tiranës, ka fushatuar njëlloj në të gjithë Shqipërinë. Ai ka qenë një lider që e ka menduar veten që i shkon politikës nëpërmjes kombëtares. Pra, i ngulur thellë në kulturën dhe antropologjinë e vendit të vet. Për shembull, Berisha niset për në Shqipëri nëpërmjet Malësisë së Gjakovës, sepse e di se bashkë me të janë të gjithë luftëtarët, të urtët dhe eposi i kësaj treve.

Edi Rama është e kundërta. Ai është nga Durrësi, Shkodra, Bregu, pak italian, katolik, ortodoks e me radhë. Paraqitja e tiparit kryesor, të kozmpolitizmit e ka bërë atë një shef partie dhe kryeministër me një ngulmim të pazakontë për Tiranën. Kjo e shpjegon edhe gjuhën e tij hokatare apo përçmuese në takimet me njerëz, ngado nëpër Shqipëri. Hokën ai e ruan edhe në Tiranë, por si një gjë që e drejton nga brenda jashtë, pra për ‘jabanxhiun që thotë jom prej Ali Demi.

Edhe në intevistat që jep për mediat e huaja e gjen fiksasionin për Tiranën. Këto janë akte që vijnë nëpërmjet gjuhës, por aktet fizike mbi Tiranë të Partisë Socialiste i përkasin ekskluzivish atij. Erion Veliaj e ka një pjesë të madhe të konsumit politik barrë që i vjen nga Rama. Ajo Tiranë që shihni sot mbi kanavacë është, në pjesëm më të madhe një administrim i vazhdimësisë së tre mandateve të Ramës. Veliaj ka qenë një broker, kryesisht i vullnetshëm, por konceptet janë të Ramës.

Në këtë kuptim është Edi Rama pas Erion Veliajt dhe jo e kundërta, Sali Berisha pas Belind Këlliçit. Nëse e shihni fushatën e kandidatit të “BashkëFitojmë”, që nga grafika e deri te mesazhet, është një gjë më vete, thuajse e panjohur nga gjuha dhe fushata e Berishës dhe Partisë Demokratike.

Përpjeka për ta paraqitur Këlliçin si një marionetë të dyshes Berisha-Meta, pra një të re të së vjetrës, ka kalkulim politik brenda, por jo vërtetësi. Sigurisht, nuk po themi se ai ëshë kandidat i pavarur nga Berisha, partia apo koalicioni, por se ai është një kandidat që përfaqëson frymën dhe konceptin e primareve. Ato u bënë me dije partiakëve të djeshëm se partia si strukturë është e rëndësishme, por vendimet u përkasin anëtarëve, të cilët mund të dalin kundër strukturës dhe të kenë të drejtë, dhe të dëgjohen.

Nëse kini dyshime se pas Veliajt është Rama dhe idetë e tij për Tiranën, ose nuk i ndiqni zhvillimet me vëmendje, ose nuk ju intereson çfarë ndodh, por çfarë pëshpëritet në dhomat e jehonës politike që ka secili në kokë apo grupi ku bën pjesë.

Pra, nuk ka as rini dhe as risi në rastin e Veliajt: është thjesht Rama i periudhës 1998-2011, ose më shumë nga e njëjta. Kandidati i vetëm i ri i kësaj gare është Belind Këlliçi. Ta kritikosh apo dënosh politikisht me pandehmën se pas tij është Berisha, kur këtë e thotë ai pas të cilit gjendet Rama, vetëm sa zgjat bishtin e gënjeshtrës dhe jetën e një kurthi politik./Politiko.al