Roza Lati: “Im atë kishte shenja skizofrenie për shkak të tumorit, mami rrinte me të prej mentalitetit”

Roza Lati ka folur shpesh për fëmijërinë e saj. Nëna e saj, Rita Lati, u nda nga bashkëshorti kur Roza ishte 8 vjeç. Babai i Rozës u martua sërish dhe la pas dhe një djalë. Dhuna në familje, ndarja e prindërve në moshë të hershme dhe jetesa vetëm me nënën, e ka afruar Rozën shumë me të ëmën. Roza ka treguar edhe më parë se ruan marrëdhëniet me gjysmë vëllain e saj, Erin.

Por së fundmi prezantuesja ka habitur me deklaratat e saj, pasi ka treguar se babai i saj kishte shenja skizofrenie, për shkak se vuante nga tumori. Ajo ka treguar një pjesë të “errët” të jetës ku ka zbuluar se i ati ka qenë i dhunshëm dhe nëna e saj, artistja, Rita Lati ishte e detyruar që të qëndronte me të për shkak të mentalitetit.

Gjithshtu ajo tha se kur i ati vinte në shtëpi, ajo kishte frikë, aq sa shkonte të fshihej sa i dëgjonte zilen e biçikletës.

“Unë kam pasur një baba të dhunshëm, im atë ka ndërruar jetë nga tumori në kokë me kalimin e viteve ai u bë agresiv dhe me recetë të doktorit ai kishte shenja skizofrenie. Rita ime (mamaja e Rozës, Rita Lati) u detyrua të rri me të për shkak të kohës të viteve 90’, se kur i thoshte mamasë së vet që nuk mundem më, ajo i thoshte jo si do ta lësh çfarë do të thonë bota ti je artiste ti del k**va këtu.

Por femra e fortë është femër e fortë kur e pa që unë merrja lodrat dhe fshihesha sa i dëgjoja zilen e biçikletës ajo la çdo gjë duke mos pyetur për njeri dhe iku me një çantë dore dhe sot ja ku jemi”, është shprehur moderatorja.

Disa vite më parë në Instagram Roza shkruante:

“Nuk mbaj mend shumë nga ty, por mbaj mend që pranë teje ndihesha mbrojtur nga çdo gjë. Di që nga ty kam marrë krenarinë e tepruar, fiksimin për pastërtinë, nervin për ta bërë diçka si dua unë deri në fund. Nuk dorëzohem si nuk dorëzoheshe ti, derisa sakrifikoj dhe shëndetin tim. Dua kafshët si ty. Dua kuajt dhe shoh dokumentarë me kuaj si ti. Deti, dua detin si ti, notoj si ty. Jam e egër si ti. Jam shpirt i lirë dhe e çmendur si ti.

Të dua bab’. Gjithë jetën do të më ndjekë figura jote, sepse aq dreqin, të ngjaj kaq shumë! Gëzuar ditëlindjen o njeri madhështor.”/ Limit.al