Reali i Madridit i dorëzon titullin Barçës, mposhten 4-2 nga Girona, Castellanos shkruan historinë

Reali i Madridit dorëzon titullin kampion të La Ligas, pas disfatës së fundit ndaj Gironas. ‘Galaktikët’ u mposhtën 4-2 në transfertë, duke pësuar një nga disfatat më të rënda sezonale në kampionat.

Një mbrëmje historike për Gironën, e sidomos për lojtarin Taty Castellanos, i cili ishte fenomenal në këtë përballje, duke realizuar të 4-t golat për skuadrën e tij. Fillimisht argjentinasi realizoi dopietë në pjesën e parë, e më pas shënoi edhe dy herë të tjera në të dytën. Me pokerin ndaj Realit, 21-vjeçari shkruan historinë. Castellanos bëhet lojtari i parë që i shënon Realit të Madridit 4 gola në një ndeshje të vetme, në kampionatin spanjoll, në shekullin e 21-të.

Për ‘los blancos’ shënuan Vinicius Junior dhe Lucas Vazquez.

Ndërkohë në fundin e sfidës doli në konferencë për shtyp trajneri i madrilenëve, Carlo Ancelotti, i cili u shfaq tepër i zhgënjyer nga kjo humbje.

Carlo Ancelotti: Është e vështirë të humbasësh në këtë lloj mënyre. Loja ka qenë e keqe në mbrojtje dhe kjo ishte pika kyçe. Skuadra nuk luajti. Ishte një standard shumë i ulët në të gjitha kuptimet. Ekipi ishte nervoz. Vinicius Junior bëri mirë në nivel individual, ai shënoi një gol dhe dha një asist, por merr shumë kartona të verdhë. Është më e vështirë për t’u thënë sot, por kjo ndeshje nuk përfaqëson Madridin. Ju kërkojmë falje tifozëve, duhet të shohim përpara.

Me këtë disfatë të madrilenëve, Barcelona është shumë pranë titullit kampion, për herë të 27-të në historinë e tyre./Limit.al