Nga Blendi Kajsiu
Parullat e tre aktorëve kryesor në zgjedhje, PS, koalicioni Berisha-Meta dhe PD-ja zyrtare, pasqyrojnë në mënyrë perfekte realitetin aktual politik. Secila nga tre parullat kryesore në këtë fushatë thotë dy të vërteta. Një të vërtetë të hapur dhe një tjetër të fshehur. E para shpreh koshiencën e aktorëve politik dhe e dyta subkoshiencën apo nën-ndërgjegjen e tyre.
Parulla e PS-së “Vetëm përpara, kurrë mbrapa” thotë një të vërtetë evidente. Rikthimi në pushtet i Berishës dhe Metës është një hap prapa sepse nënkupton rikthimin tek qeverisja Berisha – Meta e vitit 2009. Është një e vërtetë pothuajse kronologjike sepse qeverisja e Ramës vjen pas qeverisjes Berisha-Meta.
Është një e vërtetë edhe politike sepse vetëm në raport me Berishën dhe Metën kryeministri aktual mund të shfaqet si përparimi, e ardhmja dhe progresi. Në këtë aspekt dyshja Berisha-Meta është aleati politik kryesor i pushtetit Rama. Ndaj parulla e PS-së reflekton qartë këtë të vërtetë që e kanë të qartë shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Ama shigjeta “Vetëm Përpara” e parullës socialiste tregon djathtas. Dhe kjo është e vërteta e pandërgjegjëshme që shpreh kjo parullë. Kryeministri Rama dhe qeverisja socialiste në përgjithësi nuk kanë fare lidhje me të majtën, me mbrojtjen e shtresave në nevojë apo me shtresën e mesme që gjithnjë e më shumë po e lë vendin. PS-ja sot është transformuar në partinë më të djathtë që ka pasur vendi ynë në tranzicion.
Elita socialiste në pushtet është pasuruar ndjeshëm gjatë qeverisjes aktuale, qoftë nëpërmjet koncesioneve, partneritetit publik privat apo duke kapur një pjesë të mirë të bregdetit nëpërmjet ligjit të investitorëve strategjik. Ndaj socialistët sot përfaqësojnë shtresën më të kamur të shoqërisë shqiptare. Për pasojë si nga pikëpamja sociologjike edhe nga pikëpamja politike ata janë thellësisht të djathtë.
Partia Socialiste sot është partia e biznesit të madh. Është partia më elitiste që ka pasur ndonjëherë vendi. Kryeminstri Rama është thjesht maja e këtij aizbergu elitist. Është një elitë që po shkëputet gjithnjë e më tepër nga realitetit i shoqërisë shqiptare, ndaj rritja e çmimit të apartamenteve përtej kapacitetit blerës të shtresës së mesme i duket arritje madhe.
Në historinë e partive socialiste është e vështirë të gjesh një kryeministër socialist që u thotë me mburrje investitorëve të huaj ejani dhe investoni në Shqipëri se tek ne nuk ka sindikata. Është akoma më e vështirë të gjesh një rast kur një kryeministër socialist u thotë biznesmenëve të marrin puntorë të huaj (nga Banglandeshi) sepse punëtorëve shqiptarë u ka hyrë krimbi i “demokracisë, lirisë dhe europës”. Pra janë punëtorë që kanë paturpësinë të kërkojnë të drejta, liri dhe dinjitet.
Edhe kur i fton bizneset të rrisin rrogat e punëtorëve kryeministri Rama llogjikon nga interesi i biznesit më shumë se nga ai i punëtorëve. Rrogat duhen rritur sepse bizneset po mbeten pa punëtorë, jo sepse këta të fundit meritojnë më shumë mirëqënie dhe shpërblim për punën e tyre. Është halli i biznesit dhe jo dinjiteti i punëtorëve që justifikon rekomandimin e kryeministrit. Ndaj shigjeta “Vetëm Përpara” që tregon djathtas është një e vërtetë sa e madhe aq edhe e ndrydhur në nën-ndërgjegjen socialiste.
Në të njëjtën mënyrë parulla e koalicionit Berisha-Meta “Ndryshimi është në dorën tuaj” thotë një të vërtetë evidente. Është në dorën e elektoratit shqiptar të prodhojë ndryshimin politik. Ky është një fakt pothuajse banal. Ndaj shumë e kanë kritikuar parullën në fjalë për boshllëkun e saj semantik.
E megjithatë kjo parullë thotë shumë më tepër se ajo që do dëshironin autorët e saj. Mesazhi “Ndryshimi është në dorën tuaj” nënkupton se “ndryshimi nuk është në dorën tonë”. Pra parulla duke zhvendosur konceptin e ndryshimit politik nga koalicioni Berisha-Meta tek elektorati, e distancon koalcionin Meta-Berisha nga ndryshimi politik. Pra parulla na thotë se koalicioni në fjalë nuk ka lidhje me ndryshimin politik.
Kjo është e vërteta sa e madhe edhe e pandërgjegjëshme që shpreh parulla e koalcionit Berish-Meta. Është një parullë që në mënyrë të pandërgjegjëshme pranon se kjo martesë politike nuk ka lidhje me ndryshimin politik. Diçka që e dinë jo vetëm shumica dërrmuese e shqiptarëve por edhe vetë berishistët.
Së fundmi, parulla e PD-së zyrtare “Frymarrje për Tiranën” shpreh një të vërtetë sa hapësinore edhe politike. Tirana ka nevojë për frymarrje pasi e kanë “mbytur” ndërtimet. Ka nevojë për më shumë hapësira të gjelbërta pasi e ka mbytur betoni. Ka nevojë edhe për më shumë frymëmarrje politike sepse gjatë gjithë tranzicionit është administrauar nga e njëjta klasë politike e përfaqësuar nga treshja Berisha-Rama-Meta.
Ama thirrja për frymarrje në Tiranë reflekton mbi të gjitha realitetin e PD-së zyrtare të cilës berishizmi i ka marrë frymën, duke e frikësuar, shantazhuar dhe duke i hequr kandidatët. I vetmi qytet ku PD-ja zyrtare po merr pak frymë nëpërmjet kandidaturës së Roland Bejkos është Tirana. Ndaj parulla “frymarrje për Tiranën” reflekton më shumë ankthin ekzistencial të PD-së zyrtare që ka nevojë për më shumë frymëmarrje politike sesa nevojat e Tiranës.
Është një e vërtetë e madhe që shpesh injorohet sepse PD-ja zyrtare identifikohet me SHBA-të dhe qeverisjen Rama. Berishizmi ka krijuar një narrativë dominuese ku Berisha dhe Meta janë Davidi demokratik që lufton Goliathin e një konspiracioni të superfuqishëm ndërkombëtar që fillon me Edi Ramën në Tiranë dhe mbaron me miliarderin Soros, FBI-në dhe Departamentin e Shtetit në Washington. Është përralla e vjetër e trimit të vogël demokratik që lufton kuçedrën e madhe anti-opozitare.
E vërteta është krejt e kundërta. Dyshja Berisha-Meta është shumë më e fuqishme se PD-ja zyrtare. Ndaj ata janë Goliathi dhe jo Davidi. Davidi është PD-ja zyrtare që përballet me një forcë dhe frymë politike shumë më të madhe dhe më të konsoliduar se vetja.
Pavarësisht goditjes së Berishës nga SHBA-të berishizmi mbetet një frymë dhe forcë e rëndësishme politike në Shqipëri. Ka burime të mëdha financiare, siç tregoi hapja e fushatës në stadiumin Airalbania. Ka mbështetje të fortë tek oligarkët kryesor të vendit që prej kohësh bëjnë pazare me dyshen Berisha – Meta, pa përmendur bizneset dhe pasuritë personale dhe familjare të këtyre të dyve.
Berishizmi ka gjithashtu një grup të dedikuar dhe të karikuar militantësh përballë PD-së zyrtare elektorati i së cilës është ende apatik. Ligjërimi berishist është farkëtuar dhe prefeksionuar prej dekadash ndaj mobilizon me mjaft efikasitet. Denoncimi, shpallja armik, agjent, tradhëtar, pervers apo lavire i kujtdo që mendon ndryshe nga Berisha bëhet me një forcë retorike të llahtarëshme nga ky i fundit. Përballë ligjërimit të konsoliduar berishist PD-ja zyrtare është pothuajse pa verb.
Së fundmi, berishizmi ka një mbështetje të madhe mediatike, edhe si pasojë e alenacës me Ilir Metën. Berishizmi ka televizionin e vet personal përveç hapësirës së bollëshme që ka në programet kryesore televizive. Disa nga gazetat kryesore në vend janë rrjeshtuar krah tij dhe kundër PD-së zyrtare. Përveç ushtrisë së analistëve, gazetarëve inteligjent (siç është Alfred Lela) dhe gazetareve me peshë (disa ish zëdhënëse personale të Berishës dhe PD-së) edhe disa nga peshat e rënda të medias, siç janë gazetarët dhe analistët e pavarur Andi Bushati dhe Fatos Lubonja, janë rrjeshtuar përkrah dyshes Berisha-Meta dhe kundër PD-së zyrtare.
E vetmja gazetë e rëndësishme e rjeshtuar përkrah PD-së zyrtare është gazeta Tema. Ndërkohë e vetmja peshë e rëndë mediatike rrjeshtuar qartë përkrah PD-së zyrtare është Mero Baze. Por edhe ky rrjeshtim shpesh i prish punë PD-së zyrtare, si pasojë e rrjeshtimit të Temës përkrah pushtetit aktual.
Ndaj arritjet e propagandës berishiste janë impresionuese. Ajo ka arritur të bindë një pjesë të mirë të elektoratit opozitar dhe të opinionit publik se pa Berishën dhe Metën nuk mund të ketë demokraci dhe pluralizëm në Shqipëri. Nuk është pak të njehsosh opozitarizmin, demokracinë dhe pluralizmin me dy politikanë që shquhen për eleminimin, rrahjen apo blerjen e mendimit ndryshe.
Aq më tepër kur rreziku i diktaturës në Shqipëri njehsohet me SHBA-të dhe Britaninë e Madhe. Është arritje e madhe të bindësh një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare se doktori dhe Iliri janë mburoja jonë e vetme nga diktatura që duan të vendosin anglo-amerikanët në Shqipëri.
Për të gjitha këto arësye PD-ja zyrtare është Davidi dhe jo Goliathi në përballjen me berishizmin, që tërheq media, militantë dhe biznesmen për forcën që ka dhe jo për kauzën që mbron. Ndaj alternativa e PD-së zyrtare me zor po merr frymë nën sulmin e vazhdueshëm të berishizmit. Parrulla e PD-së zyrtare “Frymëmarrje për Tiranën” në mënyrë të pandërgjegjëshme reflekton këtë realitet, po aq sa ofron një propozim konkret për administrimin e Tiranës./Lapsi.al