Atalanta arriti një fitore tepër deçizive në Seria A, duke triumfuar ndaj Romës me rezultatin 3-1, në ndeshjen e javës së 31-të të kampionatit italian.
Në ‘Gewiss Stadium’, zikaltërit e Gasperinit zhbllokuan rezultatin me Pasaliç në minutën e 39-të, me një të majtë që befasoi Rui Patricion. Ndeshja u ndez në pjesën e dytë. Rafael Toloi dyfishoi shifrat në minutën e 74-të për vendasit.
Skuadra e Jose Mourinhos ngushtoi shifrat në të 83-të me Pellegrinin. Pas vetëm 1 minute lojë, bergamaskët i rikthyen edhe njëherë në avantazh të dyfishtë me Koopmeiners, i cili realizoi golin e tretë të ekipit të tij dhe vulosi tripikëshin për Atalantën. Kur kanë mbetur edhe 7 javë kampionat, Atalanta tashmë ndodhet vetëm 4 pikë larg zonës Champions.
Në këtë takim, titullar luajti edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti. Lojtari kuqezi u aktivizua për 73 minuta në fushën e lojës, por më pas për shkak të një lëndimi, u detyrua të lërë fushën e lojës.
Në sfidën përballë Romës, Gjimshiti zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse, duke qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Atalantën. Mediet italiane kanë vlerësuar 30-vjeçarin për paraqitjen e tij përballë ekipit të Murinjos. ‘Tuttomercatoweb’ i vendosi notën 7, një ndër më të lartat nga lojtarët e Atalantës.
Në leximin e lojës është praktikisht perfekt. Ai kufizon Abrahamin dhe sulmuesit verdhekuq. Lë lojën për shkak të një problemi fizik, shkruanin mediet italiane./Limit.al