Deklaratat e Vuçiç pas vendimit të KiE/ BE i përgjigjet ‘flakë për flakë’: Të zbatohet në tërësi marrëveshja e Ohrit

BRUKSEL-Bashkimi Europian ka përsëritur këtë të martë thirrjen që Kosova dhe Serbia të zbatojnë në tërësi të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur me 18 mars në Ohër, e cila ndër të tjera kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Thirrja e zëdhënësit të BE vjen pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës vendosi të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm. Beogradi votoi kundër këtij vendimi.

Peter Stano: Bashkimi Europian e ka përsëritur në disa raste se cili është pozicioni ynë dhe pritshmëria jonë nga të dy palët dhe kjo është që të gjitha pikat e marrëveshjes duhet të zbatohen me shpejtësi, mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra tjetra, për çfarë palët janë pajtuar.

Stano tha nëse vota e Serbisë paraqet shkelje të marrëveshjes së Ohrit, por theksoi se Bashkimi Europian është në dijeni të kësaj vote. Në Kosovë vendimi i Komitetit Ministror të Këshillit të Europës u vlerësua si hap me peshë historike për vendin, por Beogradi zyrtar reagoi ashpër kundër tij. Po ashtu zëdhënësi i Bashkimit Europian deklaroi se vendet anëtare të BE-së dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi tani presin më shumë veprime konkrete dhe jo fjalë nga të dyja palët.

Peter StanoNe vazhdojmë të dëgjojmë komente nga njëra anë apo tjetra por në vend të deklarimeve publike, komenteve dhe shkëmbimeve e të tjera, vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe partnerët ndërkombëtarë presin jo më shumë fjalë publike por veprime konkrete. Prandaj sërish diskutimet për nënshkrimin janë plotësisht të padobishme dhe të parëndësishme sepse ka një zotim në nivelin më të lartë politik dhe ky zotim tani është bërë ligjërisht i detyrueshëm në rrugën integruese të të dyja palëve.

Stano shtoi ndër të tjera se përparimi në dialog e në zbatim do të pasqyrohet edhe politikisht, ekonomikisht e financiarisht në rrugën e tyre integruese, prandaj është cështje e besueshmërisë, sinqeritetit dhe vendosmërisë së të dy palëve sepse kjo do të përcaktoj se si do të ecin përpara në përmbushjen e një përparësie strategjike që i kanë vendosur vetes.

Gjatë fjalës së tij Peter Stano nënvizoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si çështje me përparësi urgjente. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte kusht për pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 prillit në veriun e Kosovës. Me gjithë bojkotimin e tyre, vëzhguesit vlerësojnë se procesi zgjedhor u zhvillua pa ndonjë incident por pjesëmarrja tepër e ultë e votuesve ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e rezultatit zgjedhor.

Kjo deklaratë e e zëdhënësit të Bashkimit Europian Peter Stano vjen pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç gjatë mbledhjes së qeverisë të zhvilluar këtë të martë deklaroi se kushdo që thotë se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm është pjesë e marrëveshjes së Ohrit gënjen.

Aleksandër Vuçiç: Atyre u është thënë qartë se çfarë do të zbatojmë ne dhe çfarë jo./Limit.al