Ballina Kosova Zgjedhjet në veri/ BE: Nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike

Zgjedhjet në veri/ BE: Nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike

BRUKSEL- Bashkimi Evropian tha se zgjedhjet e parakohshme lokale, të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike” për këto komuna të banuara me shumicë serbe.

“Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione, dhe që Kosova të mundësojë kthimin e tyre. Puna në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Në zgjedhjet për kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk morën pjesë partitë serbe.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – përveç se nuk mori pjesë në zgjedhje, bëri thirrje edhe për bojkotimin e tyre.

Dalja në zgjedhje ishte pak më shumë se 3 për qind, dhe dy komuna u fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqjen e dy të tjerave i morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

BE tha se zgjedhjet lokale – që u mbajtën për shkak të dorëheqjeve të kryetarëve nga Lista Serbe nëntorin e kaluar – u zhvilluan “në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe që të gjitha përpjekjet u bënë që ato të zhvilloheshin në një mënyrë të rregullt”.

Por, blloku evropian tha se ky proces nuk mund të konsiderohet si “proces i mirëqenë” për shkak të daljes së ulët në zgjedhje.

Popullata serbe gjerësisht bojkotoi zgjedhjet për katër kryetarët e rinj dhe për zgjedhjen e përbërjeve të reja të asambleve komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

“Është imperative dhe ne bëjmë thirrje urgjentisht që të rivendoset situara ku serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, në polici dhe gjyqësor në veri të Kosovë. Për këtë nevojë urgjente për një dialog serioz midis Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës. Deri më tani është bërë pak përparim në këtë drejtim. Prandaj, duhet që palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin obligimet e tyre”, u tha në reagimin e BE-së.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat jolegale serbe me ato të Kosovës./REL-Limit.al