Ballina Kryesore Timoma- Tumori i timusit

Timoma- Tumori i timusit

Timoma është një tumor i rrallë i timusit, i cili është i vendosur në kraharor. Në tre të katërtat e rasteve është i parrezikshëm (beninj), ndërsa një e katërta e rasteve është i rrezikshëm (malinje).

Timoma malinje quhet karcinomë e timusit ose ndryshe kancer i timusit. Timusi është i vendosur në pjesën e sipërme të kraharorit, prapa sternumit ose dërrasës së kraharorit. Në rini timusi luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit imunitar. Ai shërben si një vend maturimi për qelizat imunitare. Në moshën e rritur timusi fillon të zvogëlohet, dhe për pasojë mbetet vetëm një pjesë shumë e vogël e indit të tij. Nga qelizat e mbetura të timusit mund të zhvillohet tumori i timusit. Shkaku i këtij fenomeni mbetet i panjohur. Shumica e timomave ndodhin në njerëz të moshës 50-60 vjeç. Por studimet kanë treguar se mund të preket çdo moshë. Timoma beninje rritet ngadalë dhe nuk përhapet jashtë indit të timusit.

Kanceri i timusit është formë malinje, që rritet me shpejtësi, duke përfshirë indet përreth dhe më pas lëshon metastaza në organet e tjera. Ekzaminimi radiologjik është mjeti më i rëndësishëm për diagnostikimin e timomës. Një ekzaminim mikrobiologjik i indit ndryshe biopsia tregon nëse tumori është beninj apo malinj. Tumoret e timusit (edhe nëse janë të mira apo të këqija), nëse është e mundur, duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale. Nëse sëmundja ka avancuar, duhet të merren parasysh radioterapia (rrezatimi) ose kimioterapia.

Simptomat

Simptomat e tumorit të timusit ndihen nga pacienti vetëm kur sëmundja ka përparuar mjaftueshëm. Për këtë arsye, sëmundja nuk kuptohet për një kohë të gjatë. Shpesh mjeku diagnostikon një timomë rastësisht gjatë një ekzaminimi radiologjik të kraharorit. Shqetësimet ndihen nga pacienti vetëm kur tumori përhapet në organet e tjera fqinje siç mund të jetë në trake ose ezofag për shkak të madhësisë, ose përhapet në indet përreth.

Simptomat më të zakonshme janë:

  • çrregullime të gëlltitjes
  • kollë e vazhdueshme
  • ngjirje e zërit
  • vështirësi në frymëmarrje
  • ndjenja e shtypjes prapa kraharorit
  • dhimbje në kraharor
  • probleme me zemrën (kur tumori është i madh dhe ka prekur edhe zemrën)
  • simptoma të njëkohshme të një sëmundjeje tjetër (psh. dobësi muskulare, kur shoqërohet me miasteninë)
  • sindroma e venës kava të sipërme, kthimi i gjakut nga zona e kokës dhe e krahëve për në zemër zvogëlohet në masë të madhe, sepse tumori ka depërtuar në venën kava të sipërme (që kthen gjakun e papastër në zemër).

Trajtimi

Çdo tumor i timusit, qoftë malinj ose beninj, duhet të trajtohet pasi edhe tumoret beninje mund të degjenerojnë herët apo vonë në malinje. Mënyrat e trajtimit janë kirurgjia, radioterapia dhe kimioterapra. Nëse situata e lejon, tumori mund të hiqet me anë të kirurgjisë. Në tumoret e avancuara, që nuk mund të hiqen plotësisht, pas operimit kryhet radioterapia dhe kimioterapia për të shkatërruar indin e mbetur. /medinfo.al /Limit.al