Ballina Kryesore Lakror me lakra të njoma- Receta tradicionale, shije si nga duart e...

Lakror me lakra të njoma- Receta tradicionale, shije si nga duart e gjysheve

Përbërësit: 200 gr spinaq, 200 gr pazi, 200 gr lëpjetë, 200 gr labot, 200 gr hithra, 500 gr miell, 250 ml ujë, 10 gr kripë, 200 gr djathë i thërrmuar, vaj ulliri, gjalpë, sodë buke, 1 qepë

Përgatitja e Lakrorit të Fshatit në Shtëpi: Si fillim, përgatisim brumin duke e hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë. Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës. Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra.

Qepën e grirë hollë e hedhim në një tigan të madh ku e skuqim me 4 lugë vaj ulliri derisa volumi i qepës të ulet dhe të marrë një ngjyrë të artë. Më pas, hedhim lakrat, të cilat më parë i kemi pastruar dhe i kemi zjerë me një valë. Kavardisim qepët me lakrat e egra derisa të njëtrajtësohen e më pas hedhim djathin e thërrmuar dhe pak kripë. I përzjejmë për dy minuta. Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, në një gotë të vogël hedhim një lugë miell dhe e tretim me dy lugë kos. Këtë masë, më pas e shtojmë tek lakrat e egra dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Pasi e përgatisim gjellën me lakrat e egra, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar. Brumin e ndajmë në dy pjesë, ku pjesa e sipërme duhet të jetë më e vogël se e poshtmja. Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer njëtrajtësisht me vaj ulliri, hedhim mbushjen me lakrat e egra në të gjithë petën që kemi shtruar më parë. Ndërkohë, hapim petën e dytë më të madhe dhe e vendosim sipër duke i kthyer pak anët. Në mungesë të saçit tradicional, fare mirë lakrorin mund t’a pjekim në furrë në 180 gradë për 20-30 minuta deri sa të marrë pjekjen e duhur. Në fund të përgatitjes, pasi lakrori është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me një lugë gjalpë fshati. /AgroWeb.org /Limit.al