PODGORICË– Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale dhe më pak se dy muaj deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, Mali i Zi vazhdon të jetë në një krizë të thellë politike, e cila veçanërisht reflektohet në gjendjen e institucioneve më të rëndësishme shtetërore dhe gjyqësore. Këtë e dëshmon edhe fakti se institucionet më të larta shtetërore janë me ushtrues detyre, shkruan Anadolu.
Parlamenti i Malit të Zi vazhdon të punojë edhe pse është shpërbërë. Qeveria e Malit të Zi funksionon me mandat teknik, edhe pse ka humbur besimin në Parlament në gusht të vitit të kaluar. Tranzicioni në postin e presidentit të Malit të Zi është duke u zhvilluar, ndërsa kreu i institucioneve të drejtësisë është në gjendje të përkohshme.
Kriza institucionale e shkaktuar nga kriza politike është e pranishme në Mal të Zi në një lloj forme që nga viti 2020. Ndërkaq, përbërja e njëjtë parlamentare votoi mosbesimin e dy qeverive ndërsa në institucione të caktuara gjyqësore u arrit progres minimal. Konkluzioni i përgjithshëm është se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe formimi i një shumice të re stabile janë parakusht për të dalë nga situata aktuale.
Parlamenti u shpërnda, por seancat vazhdojnë
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, para pak kohësh shpërndau Parlamentin e Malit të Zi dhe ka caktoi zgjedhjet për 11 qershor. Përkundër kësaj, disa subjekte politike veprojnë sikur çdo gjë është në rregull dhe Qeveria e udhëzon Parlamentin të diskutojë dhe miratojë disa nga ligjet e rëndësishme, siç është Ligji për konfiskimin e pasurive të arritur nga krimi. Përveç kësaj, përpara Parlamentit të shpërndarë janë ndryshimet në ligjin e Bankës Qendrore (CBCG), i cili parashikon që guvernatori të emërohet nga Parlamenti, jo nga presidenti dhe ndryshime në përbërjen e Këshillit të Bankës.
Vetëm dy muaj pas formimit të qeverisë së pakicës, në gusht të vitit të kaluar u votua mosbesimi i Qeverisë së 43-të, pasi kryeministri Dritan Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS). Edhe pse dukej se kriza do të zgjidhej me zgjedhje, Qeveria ende funksionon në një mandat teknik.
Gjukanoviq largohet, pritet inaugurimi i Milatoviqit
Epilogu i zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit ishte ndryshimi në pozicionin e kreut të shtetit. Karriera 30-vjeçare politike e Milo Gjukanoviqit përfundoi me humbjen e tij nga Jakov Milatoviq, i cili do të marrë detyrën e re më 20 maj, pasi mandati i Gjukanoviqit zgjat deri në këtë datë.
Edhe pse Milatoviq ende nuk e ka marrë detyrën, kryeministri Dritan Abazoviq kërkon që presidenti i ri të anulojë vendimin e mëparshëm të Gjukanoviqit për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 11 qershor, me arsyetimin se vendimin për datën e zgjedhjeve duhet të marrë shumica parlamentare.
Megjithatë, profesorë të së drejtës kushtetuese, analistë politikë dhe politikanë si nga qeveria ashtu edhe opozita kontestuan iniciativën e Abazoviqit që në fillim. Dekreti i presidentit Gjukanoviq për shpërndarjen e Parlamentit është miratuar në mars, është publikuar në Gazetën Zyrtare, ka qenë para Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk e ka anuluar dhe as nuk e ka shpallur si jokushtetuese.
Prokuroria e Lartë e Shtetit me vite me ushtrues detyre
Kriza institucionale nëpër të cilën po kalon Mali i Zi përmblidhet me gjendjen e institucioneve të drejtësisë. Bllokada në disa institucione vendimtare të gjyqësorit ka vite që vazhdon, sepse nuk ka marrëveshje për një shumicë prej dy të tretash apo tre të pestat në Parlament.
Ushtruesit e detyrës kanë vite që janë në Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe në Gjykatën Supreme. Gjykata Kushtetuese ia doli disi të zhbllokohet në shkurt, por ende nuk është kompletuar, pasi nuk është zgjedhur edhe një gjyqtar.
Gjithashtu, nuk është i kompletuar as Këshilli Gjyqësor, gjë që i ndërlikon më tej negociatat e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Analistë të shumtë janë të mendimit se mbajtja e zgjedhjeve në qershor është një shans për Malin e Zi që të dalë nga kriza politike. Me zgjedhjen e një qeverie të qëndrueshme, shumica e së cilës nuk do të varej nga një deputet, do të çonte drejt zhbllokimit të institucioneve kyçe./ Anadolu-Limit.al