Policia e Shtetit vijon aksionin antidrogë në të gjithë vendin, me synim zbulimin dhe parandalimin e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike.
Uniformat blu të Shkodrës zbuluan një serë kanabisi, në vendin e quajtur ‘Prroni i Zi’, në fshatin Ura e Shtrenjtë, ndërsa në pranga ka përfunduar një 58-vjeçar.
Gjatë operacionit, efektivët e policisë sekustruan 220 fidanë narkotikë kanabis sativa.
Policia e Shkodrës arrestoi shtetasin Smajl Ceka, 58 vjeç, pronar i pronës ku gjend parcela me kanabis.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër
Kontrolle intensive në të gjithë qarkun, në kuadër të planit operacional policor antikanabis të koduar “Masat Parandaluese”.
Goditet që në fazë fillestare, një rast tjetër i tentativës për të kultivuar bimë narkotike.
Zbulohet një serë e përshtatur për kultivimin në kubikë, të 220 fidanëve të dyshuar narkotikë kanabisi.
Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i kësaj tentative për të kultivuar bimë narkotike, si dhe asgjësohen fidanët me anë të djegies.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, në vijim të planit operacional policor antikanabis të koduar “Masat Parandaluese”, kanë goditur një rast tjetër të kësaj veprimtarie kriminale, për të cilin u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi S. C., 58 vjeç, banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, Shkodër.
Gjatë kontrolleve të mbështetura nga inteligjenca informative, në vendin e quajtur “Prroni i Zi”, në fshatin Ura e Shtrenjtë, në pronën private të 58-vjeçarit, shërbimet e Policisë zbuluan një serë të vogël, të përshtatur për kultivimin në kubikë, të 220 fidanëve të dyshuar narkotikë kanabisi.
Disa nga fidanët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies.
Kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, vijojnë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./Limit.al