Teuta fiton derbin ndaj Erzenit dhe “zhyt” shijakasit drejt fundit, Egnatia ndal Laçin dhe me 10 lojtarë

Teuta fiton derbin ndaj Erzenit, duke triumfuar me rezultatin 2-0. Durrsakët mposhtën shijakasit në ‘Niko Dovana’, në ndeshjen javës së 30-të, të Superligës shqiptare. Një fitore tepër deçizive për Teutën, që largohen nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria dhe duke parakaluar Erzenin në renditje. Pjesa e parë e lojës nuk prodhoi raste të rrezikshme për shënim, me të dyja ekipet që u treguan të kujdesshme për të mos lënë hapësira mbrapa.

Në pjesën e dytë, të besuarit e Edi Martinit gjetën dy herë rrugën e rrjetës. Duhet të prisnim deri në minutën e 64-të, për të parë golin e parë të kësaj sfide.

Xhaja akordoi një penallti për Teutën, pas prekjes së topit me dorë nga braziliani Enck.

Sherif Kallaku nuk gabon nga 11 metra larg portës dhe çon në epërsi skuadrën bregdetare.

Durrsakët vulosin suksesin në këtë takim, në minutën e 76-të. Kallaku jep një asist për Lorenco Vilën dhe ky i fundit përballë portës kundërshtare nuk fal, duke dyfishuar rezultatin.

Në fundin e sfidës, gjyqtari akordon një tjetër penallti për Teutën, pas ndërhyrjes së gabuar të gardianit Xhika ndaj Ildi Grudës.

Kësaj radhe është Arbër Çyrbja ai që merr përsipër 11-metërshin, por goditja e tij përfundon mbi traun e portës.

Me këtë episod mbyllet edhe takimi në ‘Niko Dovana’.

Më herët, Egnatia edhe pse me 10 lojtarë në fushën e lojës ndali Laçin në një barazim 1-1. Sfida u luajt në kompleksin ‘Partizani’ në kryeqytet, për shkak se impianti rrogozhinas ishte dënuar nga Komisioni i Disiplinës. Ndeshja për llogari të javës së 30-të të Kategorisë Superiore prodhoi shumë pak raste për shënim në pjesën e parë, ku momenti më pikant ishte ai i minutës së 25-të. Një ndërhyrje e ashpër nga ana e Zejnullait, në dëm të Roganoviç detyron gjyqtarin e takimit Eldorian Hamiti t’i nxjerrë kartonin e kuq lojtarit të Egnatias, duke lënë skuadrën me 10 lojtarë.

Pjesa e parë u mbyll me rrjetat e paprekura.

Kurbinasit e nisin vrullshëm pjesën e dytë, duke realizuar në minutën e 50-të.

Spahiu futet mirë në zonë dhe i jep një asist Guindosë, me këtë të fundit që dërgon topin në fundin e rrjetës, duke mposhtur portierin Sherri.

Por avantazhi i të besuarve të Stavri Nicës zgjati vetëm 10 minuta. Egnatia edhe pse me 1 futbollisht më pak, merr iniciativën për të sulmuar dhe arrin të fitojë një 11-metërsh.

Goditjen e merr përsipër braziliani Jackson, që nga pika e bardhë e penalltisë nuk gabon dhe vendos baraspeshën.

Në të 65-ën Laçi shënon me Turkaj, por goli u anullua për një pozicion jashtë loje.

Në minutën e 81-të, skuadra e Edlir Tetovës për pak bëri përmbysjen e madhe. Kasa në mënyrë të pabesueshme me portën e boshatisur, e dërgoi topin jashtë porte.

Minutat e mbetura nuk prodhuan më raste për shënim dhe sfida përfundon 1-1. Egnatia renditet në vendin e 3-të me 43 pikë, ndërsa Laçi në të 5-tin me 40 pikë./Limit.al