Heshtje zgjedhore në Kosovë

KOSOVË– Kjo e shtunë shënon heshtjen zgjedhore në Kosovë. Ditën e nesërme do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Në dy komunat e fundit votohet edhe për asamble.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raporton se ky institucion ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa ka njoftuar se numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Ndërkohë Policia e Kosovës bën të ditur se bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

Përmes një njoftimi për mediat blutë e Kosovës bëjnë me dije se qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor.

NJOFTIMI I POLICISË:

Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme, etj./Limit.al