Tumori në tru është një masë e qelizave abnormale ose jo normale, të cilat rriten dhe përhapen në tru. Pra me pak fjalë tumori në tru konsiderohet çdo enjtje që zhvillohet brenda kafkës. Në parim, qelizat e të gjitha indeve brenda kafkës mund të shumëfishohen. Tumori i trurit ndahet në 2 forma: ai beninje dhe malinje (kancere).
Në nivelin e trurit, natyra beninje e masës tumorale nuk e përjashton asnjëherë rrezikun. Në fakt, tumori i trurit është gjithmonë i rrezikshëm, pavarësisht natyrës beninje apo malinje, sepse ai shtyn strukturat e tjera përreth tij, dhe rrit në këtë mënyrë presionin mbi qendrat jetike të trurit, pasi kockat përreth tyre nuk mund ta përballojnë vëllimin e rritur në brendësi nga masa tumorale. Tumori i trurit mund të shfaqet në çdo moshë.
Shkaqet e tumorit në tru:
Në pjesën më të madhe të rasteve, shkaku i tumorit të trurit nuk është i njohur. Faktorët e trashëgueshëm dhe ndikimet e jashtme janë në diskutim. Deri në ditët e sotme, nuk është vërtetuar ndikimi i fushave elektromagnetike të telefonave celularë ose linjave të tensionit të lartë mbi zhvillimin e këtyre tumoreve. Gjithsesi, origjina e metastazeve të trurit është e njohur. Bëhet fjalë për përhapjen e qelizave kanceroze që vijnë nga një tumor malinj (kancer i një organi tjetër), të cilat janë përhapur në organizëm nëpërmjet qarkullimit të gjakut.
Tumoret më të shpeshta të trurit janë:
- Gliomat: e marrin origjinën nga qelizat që përbëjnë këllëfin e nervave të trurit. Kjo formë përfshin: glioblastomat, astrocitomat, ependimomat, meduloblastomat dhe oligodendrogliomat.
- Meningiomat: burojnë nga qelizat e cipës së fortë të trurit.
- Tumoret e hipofizës: e marrin origjinën nga qelizat e ndryshme që përbëjnë gjendrën hipofizare.
- Neurinomat: rrjedhin nga qelizat që përbëjnë këllëfin e nervave të trurit, deri në përfundimin e tyre.
- Metastazat: bëhet fjalë për përhapjen e një kanceri të një pjese të organizmit drejt një pjese tjetër të tij.
Simptomat më të shpeshta të tumorit në tru
Pjesa më e madhe e simptomave nuk sugjerojnë për një tumor të trurit. Ato varen nga vendndodhja, madhësia dhe shpejtësia e rritjes së tumorit.
- Dhimbja e kokës
- Të përziera, të vjella dhe ngadalësim i ritmit të zemrës, që tregojnë për rritje të presionit brenda kafkës.
- Krizat konvulsive, si ato të epilepsisë (me dridhje të forta të pavullnetshme)
- Ndryshime psiqike (apati, axhitimi, turbullime të kujtesës)
- Në varësi të vendndodhjes dhe tipit të tumorit, mund të shfaqen edhe: dobësi muskulare, paraliza dhe çrregullime të dëgjimit, të shikimit, të shijes, të gëlltitjes dhe të folurit.
Diagnoza e tumoreve të trurit bazohet në:
- Simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Egzaminimin neurologjik të imtësishëm
- Analizat e gjakut, për përjashtimin e sëmundjeve të tjera.
- Skanerin ose rezonancën magnetike të kokës (kafkës dhe trurit)
- Në rastet e nevojshme, në matjen e aktivitetit elektrik të trurit, nëpërmjet kryerjes së EEG-s (elektro-encefalogramës)
- Në rastet e nevojshme, në analizën e lëngut truno-shpinor, të marrë nëpërmjet punksionit lumbar (tërheqjes së tij me shiringë në kanalin e shtyllës kurrizore).
Si mund te trajtohet tumori në tru?
Trajtimi i tumoreve të trurit varet nga tipi i tumorit, madhësia dhe vendndodhja e tij. Tumoret beninje (meningiomat dhe neurinomat) mund të hiqen me rrugë kirurgjikale dhe kanë përgjithësisht ecuri të mirë. Tumoret malinje, veçanërisht ato të vendosuara pranë qendrave jetike të trurit, kanë një prognozë jo të favorshme
Në parim, janë të mundshme tri mënyra trajtimi:
Ndërhyrja kirurgjikale: Vështirësia e ndërhyrjeve në nivelin e trurit qëndron tek dallimi i indit tumoral nga ai i shëndetshëm gjatë operacionit. Teknikat operatore moderne lejojnë gjithsesi një dëmtim minimal të indit të shëndetshëm përreth tumorit.
Radioterapia (rrezatimi): Përgjithësisht, tumoret e trurit përgjigjen mirë ndaj rrezatimit. Kjo mënyrë trajtimi konsiston në rrezatimin e tumorit përmes lëkurës, ose edhe nëpërmjet futjes së një burimi të vogël rrezesh me rrugë kirurgjikale, për të shkatërruar tumorin në brendësi.
Kimioterapia (trajtimi medikamentoz): Egzistojnë skema të ndryshme të kimioterapisë, kryesisht me marrjen e medikamenteve me rrugë venoze ose me tableta nga goja. Kimioterapia shoqërohet shpesh me efekte të padëshiruara të shumta. Për uljen e presionit në brendësi të kafkës ndihmojnë medikamentet me bazë kortizoni. /medinfo.al /Limit.al