I shpallur në kërkim për atentatin ndaj Prokurorit Ndoj, arrestohet Ramazan Rraja

Mbrëmjen e së mërkurës, në afërsi të ‘Urës së Gjolës’ në Fushë-Krujë, është arrestuar nga Policia Ramazan Rraja.

Ramazan Rraja ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi ai akuzohet për atentatin me armë ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoj, si dhe ‘Rrumit’ të Shijakut, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Nga ky atentat mbeti i vrarë shoferi i Prokurorit, Andi Maloku.

Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, për t’iu fshehur drejtësisë ishte larguar drejt Dubait.

Përmes informacioneve të siguruara nga SPAK, është arritur lokalizimi i tij, sapo është kthyer në Shqipëri.

Sapo ka mbërritur në vendin tonë, mësohet se Rraja është mbajtur nën vëzhgim dhe është vënë më pas në pranga.

Gjatë momentit të arrestimit, Policia bën me dije se Ramazan Rraja mbante me vete edhe një pistoletë, që e kishte gati për qitje.

Nipi i deputetit socialist rezulton i shpallur në kërkim edhe nga drejtësia belge. Një gjykatë në Belgjikë, e dënoi Rrajën në shkurt të këtij viti me 12 vite burgim, si një prej krerëve të një organizate shqiptaro-letoneze të trafikut të drogës, që tregtonte miliona euro kokainë, duke përfshirë portet e Antwerp dhe Vlissingen./Limit.al