Ballina Kryesore Çfarë është melanoma?- Shkaqet dhe parandalimi i saj

Çfarë është melanoma?- Shkaqet dhe parandalimi i saj

Melanoma (kanceri i lëkurës) është kanceri më serioz dhe më malinj i lëkurës. Përmes limfës dhe gjakut përhapet shumë shpejt në pjesët e tjera të trupit e pastaj trajtimi i tij është shumë më i vështirë, ndërsa pasojat mund të jenë fatale. Mund të shfaqet edhe në pjesë të tjera të trupit.

Melanoma buron nga melanocitet, qelizat të cilat e krijojnë melaninën, pigmentin i cili i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve. Në lëkurë melanocitet janë të vendosura mes qelizave bazale, në membranën bazale nga ku prodhojnë melaninën. Në të shumtën e rasteve melanomat kanë ngjyrë kafe ose të zezë, por ndonjëherë mund të jenë edhe me ngjyrë të njëjtë si lëkura, të kuqe, ngjyrë vjollcë, të kaltra ose të bardha.

Në të shumtën e rasteve melanomat krijohen nga nishanet ekzistuese, dhe rrallë herë nga lëkura. Rreziku për shfaqjen e melanomës ekziston edhe tek të ashtuquajturët nishane të zakonshme të cilët preken shpesh, gjegjësisht janë në vende ku shpesh mund të fërkohen (rripa të sutjenave, butona, rrip, gjatë rruajtjes, etj.) Dallojmë katër nëntipa të melanomës: melanomë me përhapje sipërfaqësore, me përhapje nodulare, lentigo malinje dhe lentiginoze akrale.

Melanoma mund të shfaqet në të gjitha pjesët e trupit, si tek pjesët që vazhdimisht janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit, ashtu edhe te pjesët e mbrojtura nga rrobat. Te meshkujt melanoma në të shumtën e rasteve shfaqet në gjithë trupin, ndërsa tek femrat më shpesh shfaqet në kurriz dhe te këmbët. Nëntipi i malinjitetit mund të ndikojë në mënyrën se ku do zhvillohet melanoma; lentigo melanoma më shpesh shfaqet në fytyrë, ndërsa melanoma lengitinoze akrale më shpesh shfaqet tek pëllëmbët e duarve, shputat ose tek thonjtë.

Përhapja e melanomës

Numri i të sëmurëve nga melanoma po shënon një rritje të vazhdueshme dhe kohëve të fundit melanoma është një nga tumoret me përhapje më të madhe. Numri i të sëmurëve për çdo vit shënon një rritje prej 4-5%, që do të thotë se numri i të sëmurëve çdo 10-15 vjet dyfishohet.

Në Europë në vit sëmurën 14 në 100 000 njerëz. Gjatë pesë viteve të fundit melanoma ka zënë vendin në listën e sëmundjeve malinje më të shpeshta. Në Evropë, femrat sëmuren nga melanoma më shumë se meshkujt, ndërsa në SHBA ky raport është i barabartë. Studime të shumta tregojnë se femrat e prekura nga melanoma kanë shkallë më të lartë mbijetese se meshkujt. Arsye për këtë mund të jetë fakti që femrat i kushtojnë një kujdes më të madhe pamjes së tyre, i vënë re më herët ndryshimet e lëkurës e kështu më herët drejtohet tek mjeku. Nga kjo mund të përfundojmë se faktor qenësor për një rezultat pozitiv është zbulimi i hershëm i melanomës. Melanoma në të shumtën e rasteve shfaqet rreth moshës 50 vjeçare, përveç melanomës lentigo malinje që kryesisht shfaqet rreth moshës 70 vjeçare, zakonisht në lëkurë e cila është ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj diellit (duar, fytyrë). Gjatë viteve të fundit melanoma gjithnjë e më shumë po shfaqet tek popullata e re në moshë nga 25 deri më 44 vjet, e shumë rrallë edhe tek adoleshentët.

Cilat janë shkaqet për shfaqjen e melanomës?

Faktorë rreziku për shfaqjen e melanomës:

  •  Ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit, gjegjësisht ndaj rrezeve ultraviolet (profesion ose hobi)
  • Pigmentimi i lëkurës (personat me lëkurë më të bardhë)
  • Personat në moshë mbi 50 vjet
  • Personat që kanë më shumë se 50 nishane
  • Persona me familjarë të prekur nga melanoma
  • Persona që kanë qenë të sëmurë nga melanoma
  • Djegiet e lëkurës nga rrezet e diellit
  • Rrezatimi intensiv për një kohë shumë të shkurtër (gjatë pushimeve verore), ose gjatë fundjavës
  • Frekuentimi i solariumit
  • Trajtimi me rrezatim
  • Imuniteti i dobësuar nga kimioterapia, pas transplantimit të organeve, ose nga HIV/SIDA.

REKOMANDIME NGA INSTITUTI I SHËNDETIT PUBLIK PËR MBROJTJE TË LËKURËS NË KUSHTE TË EKSPOZIMIT TË TEPËRT NDAJ DIELLIT, GJEGJËSISHT NDAJ RREZEVE ULTRAVIOLET: 

  1. Nuk rekomandohet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit për të fituar ngjyrë të lëkurës (banjo dielli). Por, nëse gjithsesi keni vendosur të bëni banjo dielli, këtë duhet ta bëni gradualisht (ditën e parë vetëm një orë, ditën e dytë dy orë, etj.).
  2. Aktivitetet në natyrë ose në mjedise të hapura nuk duhen realizuar në periudhën e ditës kur rrezet e diellit janë më të forta. Të evitohet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit nga ora 10-17. Në këtë periudhë të ditës strehohuni nën hije (përdorni ombrellë, nën hijen e pemëve, tendës, shtëpisë).Rrobat janë mbrojtja më e mirë nga dielli dhe ato duhet të jenë të bëra nga pëlhura të lehta dhe të jenë me ngjyra të hapura, ndërsa mëngët dhe këmbëzat të jenë sa më të gjata.
  3. Kapela me strehë të gjerë mundëson një mbrojtje të mirë të syve, veshëve, fytyrës, kurrizit dhe qafës. Syzet e diellit që mundësojnë 99-100% mbrojtje nga rrezet UV-a dhe UV B do e zvogëlojnë dukshëm dëmtimin që pësojnë sytë gjatë ekspozimit ndaj diellit.
  4. Të përdoren preparate cilësore për mbrojtje nga dielli me faktor mbrojtës të lartë (SPF) së paku 30, e që janë rezistente ndaj ujit. Preparatet për mbrojtje duhen përdorur edhe në rastet kur kaloni qoftë edhe një kohë shumë të shkurtër në diell.
  5. Të evitohet frekuentimi i solariumeve.
  6. Preparatet për mbrojtje të lëkurës të aplikohen së paku 30 minuta para ekspozimit në diell dhe të riaplikohen sa më shpesh (në çdo dy orë), pas daljes nga uji, pas djersitjes dhe fshirjes së trupit me peshqir.
  7. Preparatet për mbrojtje të lyhen në lëkurë njëtrajtësisht dhe në sasi të mjaftueshme.
  8. Një kujdes i veçantë u duhet kushtuar buzëve, vetullave dhe veshëve.
  9. Nuk duhet harruar se rrezet e diellit reflektohen edhe nga sipërfaqe të ndryshme, dëborë, ujë, rërë, beton dhe barë dhe depërtojnë edhe nëpër re. Preparatet dhe mjetet mbrojtëse duhet të përdoren edhe kur moti është me re.
  10. Personat që bëjnë pjesë në grupin e rrezikuar nga shfaqja e kancerit të lëkurës (personat me flokë të kuq ose të verdhë dhe me lëkurë të bardhë, personat me shumë nishane, personat të cilët paraprakisht janë trajtuar nga kanceri i lëkurës etj.), duhet që pjesët e ekspozuara të lëkurës t’i mbrojnë me mjete dhe preparate mbrojtëse gjatë gjithë vitit.
  11. Prindërit duhet të kenë shumë kujdes për mbrojtje sa më adekuate të fëmijëve të tyre. /iph.mk /Limit.al