Nga Gullit dhe Van Basten duke shkruar një copëz historie, deri tek Maldini duke ngritur lart atë trofe aq shumë të dëshiruar në kontinentin e vjetër.
Ngjyrat kuqezi rikthehen në gjysmë-finale të Champions League, pas 16 vitesh pritje. Milan rikthehet në këtë fazë të këtij kompeticioni, pas triumfin të lavdishëm të vitit 2007, në Athinë.
Milanezët kaluan në çerek-finale pengesën Napoli, duke dalë nga stadiumi ‘Maradona’ me një barazim të vyer 1-1, që i kalon ata më tej, pas suksesit në ndeshjen e parë 1-0, në ‘San Siro’.
U duk sikur gjërat do të shkonin keq për kuqezinjtë, kur në minutën e 22-të, Giround humbi një 11-metërsh.
Por në minutën e 43-të, sulmuesi francez nuk mund të gabonte me portën thuajse të boshatisur, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij.
Meritën më të madhe për këtë gol e ka Leao, i cili me një vrapim galopant nga gjysmë-fusha e tij, kalon 3 lojtarë kundërshtar dhe nxjerr një pas fantastik për Giroud.
Në pjesën e dytë portieri kuqezi, Maignan tregoi edhe njëherë vlerat e tij, duke pritur penalltinë e Kvaratskhelia, në minutën e 82-të.
Osimhen vendosi baraspeshën në minutën e 93-të, për skuadrën e Spallettit, por ky gol vlen vetëm sa për statistikë.
Ndeshja përfundon 1-1 dhe skuadra e Piolit kualifikohet në gjysmë-finale, për herë të 13 në historinë e Champions League./Limit.al