“Biznes me hallet e tyre”, po transportonin 26 emigrantë të paligjshëm, në pranga 3 shtetas nga Kosova në Sarandë

Biznesi me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm nga vendet e treta, drejt atyre të Bashkimit Europian, është kthyer në një fenomen shqetësues për autoritetet shqiptare dhe jo vetëm.

Trafikantët kundrejt përfitimit financiar, marrin emigrantë të paligjshëm përtej kufirit, e më pas tentojnë për t’i kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së, duke përfituar nga ta vlera monetare.

Së fundmi, 3 shtetas nga Kosova u arrestuan nga Policia Kufitare e Sarandës, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 23 emigratë të paligjshëm, me 3 automjete të ndryshme.

Në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Shkëlqim Shabani, 25 vjeç, Hysni Hafizi, 22 vjeç dhe Shkëlzen Islami, 47 vjeç, të tre banues në Kosovë. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet.

Njoftimi i Policisë Sarandë:

Policia Kufitare Sarandë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.

Bashkëpunuan për të transportuar me 3 automjete, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kapen në flagrancë dhe arrestohen 3 shtetas.

Të arrestuarve iu sekuestrohen automjetet me të cilat kryenin transportimin, dhe celularët.

Ky operacion, i dyti brenda pak ditëve, i finalizuar nga Policia Kufitare e Sarandës për goditjen e ndihmës së kundërligjshme, për emigrantët.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Border”, si rezultat i të cilit nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, u arrestuan shtetasit:

-Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç, të tre banues në Kosovë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, teksa transportonin kundrejt fitimit, me 3 automjete të ndryshme, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim./Limit.al