Nëse të gjithë kolegët janë pushim sot, përveç teje, lexo këtë artikull

Ah, ndjesia e të qenit i vetmi person në punë, ndërkohë që gjithë të tjerët janë duke festuar ose pushuar. Po, e dimë: është si të jesh një copë brokoli në një pjatë me biftek dhe patate. Por mos u shqetëso, nuk je vetëm. Ndoshta mund të kesh nderin të jesh i vetmi person shuuumë i përkushtuar ndaj punës. Prandaj ta shohim situatën me pozitivitet? Fillojmë.

Së pari, një moment vlerësimi për heshtjen në zyrë. Po, asnjë koleg/e llafazan, asnjë telefonatë e bezdisshme (nëse keni fat), asnjë shpërqendrim. Je vetëm ti dhe tingulli i ëmbël i produktivitetit. Shijoje! Mund ta përdorësh këtë moment për t’u marrë me disa projekte a detyra të cilat mund t’i kesh shtyrë prej kohësh. Do të befasohesh sa shumë mund të punosh nëse nuk të ndërpret njeri.

E dimë që po mendon: “Por të gjithë të tjerët po bëjnë qejf, ndërsa unë kam ngecur këtu!”. Ke të drejtë, por le ta vendosim logjikën në punë. Ata do të kthehen sërish nesër, ashtu si ti. Pra, ngushëllohu me faktin që ndoshta ti ke pak më shumë kohë për t’i vënë punët para. Nesër ndoshta ata mund të jenë hangover ose të fryrë nga ushqimet e shumta që kanë ngrënë (shpresojmë që jo, sepse nuk besojmë se ua doni të keqen kolegëve). Pra, kush është vërtet fituesi këtu?

Të mos harrojmë përfitimet e të qenit vetëm në zyrë. Do muzikë? Vendose. Do të pushosh duke parë video në TikTok? Vazhdo. Ke lirinë të bësh si do, pa shikimet tinëzare të ndonjë kolegu/eje. Ose mund të shkëputesh për të shijuar një kafe rrotull zyrës.

Mos harro që kjo është vetëm një ditë nga shumë të tjera. Do të kesh ditët e pushimit në muajt në vijim dhe do të mund t’i shijosh ato në maksimum. Mos lejo që #FOMO të të demoralizojë. Plus, kush e di, ndoshta shefi do ta marrë në konsideratë përkushtimin tënd dhe do të të vlerësojë në të ardhmen. Deri atëherë, duhet që thjesht të përqafosh ironinë e situatës dhe ta shfrytëzosh sa më shumë./Anabel