Lajm fantastik, Izmir Smajlaj shpallet i pafajshëm, fiton betejën ligjore në Francë

I akuzuar për manipulim të rezultateve të garës në vitin 2021, që mundësonin kualifikimin në Lojrat Olimpike Tokio 2020, atleti shqiptar Izmir Smajlaj ka fituar betejën ligjore, në Gjykatës Sportive të Zgjidhjes së Konflikteve, në Nicë të Francës.

Ndaj atletit shkodran është rrëzuar çdo akuzë, e për të tepër është vendosur edhe anulimi i pezullimit të tij nga aktiviteti sportiv. Tashmë 30-vjeçari mund të rikthehet normalisht të garojë në kompeticionet apo eventet e ndryshme.

Rekordmeni shqiptar, njëherësh edhe kampion i Europës dhe i Ballkanit fitoi betejën ligjore me ‘Njësinë e Integritetit të Atletikës’, e cila e kishte akuzuar atë për manipulim rezultati.

Ndërkohë të njëjtin fat nuk e patën Presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, që njëkohësisht ishte edhe trajneri i Smajlajt dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, Nikolin Dionisi.

Kreu i Federatës u dënua me 5 vite pezullim, ndërsa për Dionisin u dha dënimi me 4 vite pezullim.

Të gjitha hetimet e agjentëve të ‘Njësisë së Integriteti të Atletikës’ nuk sollën asnjë provë, që tregonte një manipulim të rezultatit prej 8.16 metrash, që kërceu Izmir Smajlaj, në garën e zhvilluar më 8 maj të vitit 2021./Limit.al